Policia e Kosovës e ka arrestuar një pjesëtar të komunitetit serb në Mitrovicën e Veriut më 1 prill në kuadër të një aksioni për luftimin e krimit të organizuar dhe parandalimin e kryerjes së veprave kriminale.
Siç thuhet në njoftim, policia e ka arrestuar të dyshuarin pas “hetimeve intensive nga njësitet relevante policore”.
Personi i arrestuar dyshohet për disa vepra penale, përfshirë këtu pjesëmarrje në një sulm ndaj një njësie të Policisë së Kosovës, “pjesëmarrje apo organizim të grupit të organizuar kriminal”, “vrasje në tentativë”, “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “sulm ndaj zyrtarit gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”.
I njëjti person dyshohet se i ka vënë flakën veturave me targa RKS (Republika e Kosovës) në Zubin Potok, komunë me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Gjatë tri ditëve të fundit në veri të Kosovës janë shënuar djegie të veturave me targa të Kosovës, të cilat janë ri-regjistruar nga targat KM (Kosovska Mitrovica – Mitrovicë e Kosovës), të lëshuar anga autoritetet e Serbisë. Targat KM janë të ilegale në Kosovë.
Ministri i Brendshëm e Kosovës, Xhelal Sveçla, ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook se i arrestuari ka qenë “pjesë aktive e strukturës kriminale të të ashtuquajturës ‘Mbrojtja Civile’, më parë ai kishte sulmuar Policinë e Kosovës, duke i plagosur dy zyrtarë të saj”.
Ai po ashtu ka vlerësuar se pas djegies së veturave në veri qëndron Beogradi, me qëllimin që të shkaktojë frikë te qytetarët.
“Organet e sigurisë kanë dëshmi për përfshirjen e tij në sulmet ndaj infrastrukturës kritike të Republikës”, ka shkruar ai.
Lista Serbe paralajmëron “reagimin e serbëve”
Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës e mbështetur nga Beogradi zyrtar, e cilësoi arrestimin në Mitrovicë të Veriut si “vazhdim të keqtrajtimit të popullit serb”.
Kjo parti nuk e dënoi djegien e veturave në veri dhe nuk pati reagime as nga Beogradi zyrtar.
Pas arrestimit më 1 prill, Lista Serbe, në një komunikatë për media, tha se i arrestuari nga Zubin Potoku “akuzohet për krime të rënda pa asnjë provë”.
Ata deklarojnë se nëse i arrestuari nuk lirohet, do të shkaktohet “reagimi nga serbët”.
“Për ta sqaruar, kjo nuk do të jetë ndonjë paralajmërim, por një kryengritje e përgjithshme për ta ndalur shtypjen e Albin Kurtit ndaj qytetarëve të pafajshëm”, thuhet në deklaratë e Listës Serbe.
Edhe Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka reaguar duke e akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, se “po shkakton kaos dhe po krijon një krizë të re”.
“Kurti po përpiqet në çdo mënyrë të mundshme, përmes forcave të tij, të shkaktojë tensione në veri të Kosovës, për të nxitur reagimin e serbëve, të cilët më pas do t’i akuzonte për përshkallëzimin potencial të situatës në terren, vetëm për t’i ikur dialogut dhe obligimeve nga Ohri sa i përket formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, thuhet në reagimin e Zyrës për Kosovën.
Çfarë parapriu?
Djegia e veturave vjen pas ri-regjistrimit të veturave me targa KM në targa RKS. Targat KM lëshohen nga autoritetet e Serbisë dhe Kosova i konsideron ilegale. Vitin e kaluar kishte filluar procesi i ri-regjistrimit të veturave me targa RKS.
Megjithatë, ky proces shkaktoi tensione në terren. Fillimisht, më 31 korrik u ngritën barrikada për këtë çështje, e më pas në nëntor serbët u larguan nga institucionet e Kosovës në veri shkaku i suspendimit të drejtorit të Policisë për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili refuzoi ta zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrim në targa RKS.
Ndërkohë, Kosova dhe Serbia, me insistimin e bashkësisë ndërkombëtare, në fund të nëntorit të vitit të kaluar arritën një marrëveshje për targat, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.
Kosova pranoi të pezullojë procesin e ri-regjistrimit ndërsa Serbia u pajtua të mos lëshojë targa të reja për makinat që qarkullojnë në Kosovë.
Vlerësohet se në veri të Kosovës janë rreth 10.000 vetura të regjistruara me targa KM./rel