Arrestohen 3 persona në Fier dhe Lushnjë për zjarrvënie të qëllimshme! Rrezikohen banesa dhe sipërfaqe me bimësi

Policia e Fierit dhe Lushnjës ka vënë në pranga tre shtetas, pas një serie zjarrvëniesh të qëllimshme në zona të ndryshme, të cilat rrezikuan banesa dhe shkaktuan dëme në mjedis.

Në Fier, u arrestua në flagrancë shtetasi F. B., 68 vjeç, banues në lagjen “Bishanak”, i cili u kap duke ndezur zjarr pranë argjinaturës së lumit Gjanica. Si pasojë e përhapjes së flakëve, u dogj një sipërfaqe toke me bimësi të egër. 68-vjeçari ka precedent të mëparshëm penal për zjarrvënie dhe dhunë në familje. Ai dyshohet gjithashtu për ndezjen e tre vatrave të tjera në lagjen ku banon.

Në Lushnjë, u arrestuan dy persona të tjerë:

G. H., 61 vjeç, banues në lagjen “18 Tetori”, i cili dyshohet se ka ndezur zjarr në tokën e tij për të djegur mbeturinat. Flakët janë përhapur deri te ish-fusha e mbetjeve urbane, duke rrezikuar banesat përreth.

N. D., 62 vjeç, banues në fshatin Delisufaj, akuzohet se ka ndezur zjarr pranë banesës së tij për të djegur mbeturina, duke shkaktuar përhapjen e flakëve në një sipërfaqe të konsiderueshme dhe duke vënë në rrezik banesat e fshatit.

Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme ligjore.

Policia e Fierit apelon qytetarët që të shmangin ndezjen e zjarreve në çdo rrethanë, pasi do të përballen me ndëshkim penal. Çdo rast zjarrvënieje apo paligjshmërie mund të denoncohet në numrin 112, me garanci për anonimat dhe reagim të menjëhershëm.

Leave a Reply