Policia e Kosovës ka arrestuar deputetin e lëvizjes Vëtevendosje, Albin Kurti, pasi ka mbajtur të rrethuar selinë e ketij subjekti politik në Prishtinë.
Menjëherë sapo kanë shkuar pranë selisë, mbështetësit e lëvizjes Vetëvendosje u kanë kërkuar forcave speciale që të largohen e madje kanë filluar edhe të përleshen me to.
Nga ana e saj, policia ka reaguar duke përdorur gazin lotësjellës për të shpërndarë mbështetësit, disa prej të cilëve më pas edhe i ka arrestuar.
Më pas forcat speciale kanë hyrë me dhunë në selinë e VV-së dhe kanë arritur të bëjnë arrestimin e Kurtit, ndërsa në pranga ka përfunduar edhe çdo person që ka penguar operacionin.
Mes dhjetëra aktivistëve të ndaluar janë zyrtarja e Komunës së Prishtinës, Saranda Bogujevci dhe këshilltari Ylli Hoxha.
Bogujevci, e mbijetuar e masakrës së luftës në Kosovë ku iu shfarros familja nga forcat serbe, aktualisht është drejtoreshë e Kulturës në Komunën e Prishtinës.