Biznesmeni Orce Kamçev mëngjesin e sotëm është arrestuar.
Sipas informatave të portalit, Kamçev është arrestuar për shkak se Agjencia për Siguri Kombëtare (ASK) ka pasur informata se gjoja se po përgatitet për arratisje.
Me kërkesë të tyre ai është arrestuar, ndërsa pastaj e kanë informuar Prokurorinë për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Tani, Prokuroria do të kërkojë paraburgim, për shkak se Kamçev është i dyshuar në në hetimin “Parcelat në Vodno”.
Pas propozimit të Prokurorisë themelore për krim të organizuar dhe korrupsion, gjyqtari i procedurës paraprake i ka caktuar 30 ditë paraburgim Risto Novaçevskit, për shkak dyshimeve për shpëlarje parash.
Me urdhër të Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsioni, këtë mëngjes policia arrestoi Risto Novaçevskin, kumbar i ish-kryeministrit të arratisur Nikola Gruevski. Ai me një grup dyshohet për veprën penale pastrim parash, me të cilat blenë parcela në Vodno. Novaçevski nga policia e sektorit për krim të organizuar në MPB, pritet të sillet para gjykatësit të procedurës paraprake, për të cilin prokurori përkatës do të kërkojë masa për të, njoftojnë nga Prokuroria.
Prokuroria Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, njoftoi se ka hapur lëndë të re, në të cilën të dyshuar janë Nikolla Gruevski, Sasho Mijallkov, Risto Novaçevski, Orce Kamçev, si dhe pronari i një kompanie.
“Në periudhën prej 2006 deri 2012, Gruevski si kryetar i VMRO-DPMNE-së ka përvetësuar mbi 1.300.000 euro. Një pjesë të mjeteve të cilat në këtë periudhë i ka pranuar personalisht ose nëpërmjet komiteteve komunale të partisë si donacione për partinë politike, nuk i ka paraqitur si donacione dhe në këtë mënyrë ka përvetësuar së paku 1.300.360 euro. Këto para Gruevski i ka lëshuar në qarkullim me blerjen e tokës ndërtimore në Vodno, ndërsa i dyshuari Mijallkov edhe pse e ka ditur se si Gruevski i ka marrë paratë, ka vendosur kontakt me pronarin e një kompanie në Belize dhe ka kërkuar dokumentacion, vula dhe xhirollogari që t’i ketë në dispozicion. Risto Novaçevski, pas një marrëveshje paraprake me Gruevskin, është bërë drejtues i kompanisë e cila e ka blerë tokën në Vodno me një sipërfaqe totale prej 11,000 m2”, thonë nga Prokuroria.
Si pronar i tokave në Vodno është paraqitur kompania, për të cilën nga Prokuroria thonë se është nën pronësi të të dyshuarit të pestë, Orce Kamçev.
Nga Prokuroria thonë se për Risto Novaçevskin, i cili është i dyshuari i tretë do të kërkojnë paraburgim, ndërsa për të dyshuarit tjerë masa parandaluese.
Përveç Gruevskit dhe kumbarit Novaçevski, për pastrim parash prokuroria dyshon edhe për kushëririn e tij Sasho Mijallkov, biznesmenin Orce Kamçev, nënën e tij Ratka Kamçeva dhe Nenad Josifoviç. Kamçev, Mijallkov dhe Josifoviç janë të dyshuar së bashku në rastin e ashtuquajtur “Perandoria”.
Të gjithë të dyshuarve më parë u është shqiptuar masa e sigurisë për praninë e tyre, vetëm Novaçevskit jo.
Dy vite më parë me urdhër të PSP-së u arrestuan pesë persona dhe u bënë 12 kontrolle në hetimin e quajtur “Perandoria”, kurse ndër të arrestuarit ishte biznesmeni Orce Kamçev. Të dyshuar kanë qenë 13 persona, ndër të cilët ish shefi i DSK-së, Sasho Mijallkov dhe pronari i fabrikës “Pelisterka”, Cvetan Pandeleski, Jordan Kamçev, Nenad Josifoviq, Ratka Kunoska – Kamçeva, Hristina Kamçeva – Stojçeska, Zorica Arsovski, Liljana Gajdovska, Vlladisllav Stajkoviq, Todor Mirçevski, Dejan Janev, Vançe Mijallçec dhe Jovançe Taskovski.
Nga ana tjetër, Kamçevi është njëri nga iniciuesit kryesor të nisjes së hetimit të rastit “Reket”, pasi sipas deklaratave të vetë denoncuesit të rastit, kryeministrit Zoran Zaev ka qenë Kamçevi ai i cili është ankuar për reketim. Reketimi dyshohet të jetë bërë nëpërmjet Katica Janevës, në atë kohë kryeprokurore e Prokurorisë Speciale Publike, e cila udhëhiqte me lëndën “Perandoria”.
Edhe pse kishte të dhëna se “Perandoria” është dëmtuar për shkak të përpjekjes së Janevës që i njëjti të ndalojë, sepse në “Reket” nisi hetimi ndaj saj, sërish rasti është duke u vazhduar, sepse sipas hetimit, përpjekja e Janevës për ta liruar Kamçevin ishte e pasuksesshme.