Do të kanalizohet në një fond të përbashkët të BE-së
Pas 12 orësh negociata, vendet e Bashkimit Evropian kanë arritur një marrëveshje të madhe për të rinovuar politikën e emigracionit dhe azilit. Në bazë të marrëveshjes, vendet që nuk dëshirojnë të pranojnë emigrantë të parregullt që mbërrijnë në BE, do të duhet të paguajnë 20 mijë Euro për secilin aplikant të refuzuar, e cila më pas do të kanalizohet në një fond të përbashkët të BE-së.
Italia dhe Greqia, kanë kërkuar prej kohësh më shumë ndihmë për të përballuar numrin e njerëzve që mbërrijnë në brigjet e tyre. Vendet si Gjermania dhe Suedia, kanë kundërshtuar numrin e tyre që shkojnë në tokën e tyre, ndërsa Polonia dhe Hungaria refuzuan të strehojnë refugjatë nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut.
“Kjo është një arritje e madhe, e madhe, që tregon se është e mundur të punojmë së bashku për migracionin. Ne jemi shumë më të fortë kur punojmë së bashku,” tha komisionerja për Punët e Brendshme, Ylva Johansson.
Vitin e kaluar, BE mori më shumë se 962,000 kërkesa për azil, shifra më e lartë që nga viti 2016. Me këtë procedurë të përshpejtuar, maksimumi brenda 12 javësh ata që kërkojnë azil duhet të verifikohen dhe nëse nuk kanë argumenta bindëse për aplikimin e tyre, sepse vijnë nga një vend i sigurt do të kthehen menjëherë. Kjo prek ata që vijnë nga vende, ndaj të cilave kuota e pranimit në nivel të BE-së është nën 12 për qind, konkretisht kjo ka të bëjë me azilkërkues që vijnë nga Pakistani, Shqipëria dhe nga disa vende të tjera afrikane.
Rregullat e miratuara tani nga Këshilli i Ministrave do të miratohen në Parlamentin Europian deri në fund të këtij viti. Nëse procedura e mëtejshme ligjore do të kalojë pa pengesa duke u miratuar nga parlamentarët përpara pranverës së zgjedhjeve të BE-së në Qershor, atëherë rregullat hyjnë në fuqi vitin e ardhshëm.