Gjykata duhet të japë miratimin e saj por ka të ngjarë që çështja ligjore të marrë muaj për t’u përfunduar
Themeluesi i WikiLeaks, Julian Assange ka apeluar në Gjykatën e Lartë në Londër vendimin për ekstradimin e tij në Shtetet e Bashkuara.
Autoritetet amerikane e akuzojnë 50-vjeçarin për spiunazh që ka të bëjë me publikimin në WikiLeaks të sasive të mëdha të të dhënave të klasifikuara ushtarake amerikane dhe kabllogrameve diplomatike, për të cilat Uashingtoni ka thënë se kanë rrezikuar jetë.
Në vitin 2010, WikiLeaks publikoi qindra mijëra dokumente dhe dosje diplomatike që zbulonin krimet e luftës të kryera nga trupat amerikane gjatë operacioneve ushtarake në Afganistan dhe Irak. Shtetet e Bashkuara thonë se me rrjedhjen e të dhënave është shkelur ligji dhe janë rrezikuar jetë, ndërsa Assange beson se rasti është i motivuar politikisht.
Muajin e kaluar, Sekretarja e Brendshme Priti Patel miratoi ekstradimin e tij, duke thënë se gjykatat britanike kishin arritur në përfundimin se ekstradimi i tij do të ishte i pajtueshëm me të drejtat e tij njerëzore dhe se ai do të trajtohej siç duhet.
Lajmin për apelimin e këtij vendimi e dha vëllai i Assange, Gabriel Shipton. Gjykata duhet të japë miratimin e saj që ankimi të shqyrtohet, por ka të ngjarë që çështja ligjore të marrë muaj për të përfunduar.
Saga e akuzave filloi në fund të vitit 2010 kur Suedia kërkoi ekstradimin e Assange nga Britania mbi akuzat për krime seksuale.