Belgjika merr vendimin, nuk ka efektivitet tek të moshuarit
Qeveria belge ka njoftuar të enjten se vaksina AstraZeneca kundër Covid-19 duhet t’i injektohet vetëm personave nën moshën 55-vjeçare. Ky është rekomandimi i fundit i një vendi anëtar të Bashkimit Evropian, që miraton një vaksinë me kufizime të tilla, duke përmendur të dhëna të pamjaftueshme për efektivitetin tek të moshuarit.
Ministri i Shëndetësisë së Belgjikës, Frank Vandenbroucke, bëri me dije se Këshilli i Lartë Shëndetësor i vendit, një organ këshillimor, kishte sugjeruar që vaksinimi duhet të administrohet për njerëzit më të rinj se 55 vjeç. Për momentin, Vandenbroucke tha se Belgjika ishte duke rishikuar strategjinë e saj të vaksinimit.
Ndërkaq, Rregullatori i Ilaçeve të BE ka aprovuar vaksinën e Oxford-AstraZeneca për të gjithë personat e rritur, por i takon secilit shtet anëtar të përcaktojë politiken e vaksinimit, shkruan The Guardian.
Gjermania, Franca, Austria dhe Suedia kanë rekomanduar tanimë që kjo vaksinë të kufizohet në përdorim nën moshën 65-vjeçare. Ndërkohë Mbretëria e Bashkuar ka përdorur vaksinën e prodhuar nga AstraZeneca, një kompani farmaceutike britanike-suedeze, në një program të imunizimit masiv për javë të tëra.
AtraZeneca është përfshirë në mjaft polemika politike. Komisioni Evropian kishte një mosmarrëveshje me AstraZeneca javën e kaluar pasi kompania njoftoi se nuk mund të jepte dozat e pritshme në kohë.