Atdheu i fesë dhe liria fetare

Semantika e binomit “Për fe dhe atdhe”, sot ka vetëm këtë domethënie: duhet të angazhohemi për fe ngjashëm siç angazhohemi për atdhe. Nëse angazhohemi për ta dëmtuar, për ta dashur rrejshëm dhe për ta nënçmuar fenë, kjo ka po atë vlerë të angazhimit për ta dëmtuar, dashur rrejshem dhe për ta dëmtuar atdheun. Në të dy raste shpallesh tradhëtar!

Nga Afrim Tahiri

Sintagma “Për fe dhe atdhe” për herë të parë u përdor në përpjekjet fillestare të komunitetit ortodoks për t’u shkja nga Kisha Katolike. U përdor si moto në luftën e pakompromis për të krijuar një “fe” përtej kornizave të universalitetit, një “fe nacionale” që ka shtetin e vet etnik. Që atëherë u përdor dendur, sidomos në rastet kur prijësit e ideologjive, të luftërave apo revolucuineve përpiqeshin që ta masovizonin sa më shumë angazhimin e tyre duke e motivuar edhe klerin dhe besimtarët e tyre më të thjeshtë.
Binomin “Për fe dhe atdhe” dendur e përdorën edhe rilindasit dhe postrilindasit tanë, në përpjekje për ta nxitur nje luftë gjithëpopullore, fillimisht për t’u çliruar nga Perandoria Osmane e pastaj nga okupimi nazi-fashist. Ishin momentet këto të krijimit të shtetit shqiptar, të ngritjes së vlerave të identitetit etnik.
Pastaj pasoi periudha me absurde përsa i përket raporteve shtetërore e ideologjike (por jo kombëtare) ndaj fesë. Shqipëria u bë, u zhvillua, ndonëse 45 vjet me përbuzje dhe ndalim të rreptë të feve dhe religjioneve. Ka shtet, ka komb, të cilit nuk i duhet feja, që mund të jetojë e të zhvillohet pa fe!
Pra, binomi nga “Për fe e atdhe” kaloi në “Për ideologjinë komuniste dhe për atdhe”! Me përmbysjen e kësaj ideologjie të errët, sintagma “Për fe dhe atdhe” sërish filloi të përdoret, madje edhe më fuqishëm, natyrisht, prej dy kategorive të njerëzve. Njëra kategori ishin të gjithë ata që ndjenin nevojë të madhe të shprehnin devotshmërinë a tyre si fetar dhe kombëtar të pathyeshëm, ngaqë për gjysëm shekulli kishin qenë të detyruar të mëkatonin dhe, kategoria e dytë, që deri në bezdi e përdornin sintagmën “Për fe dhe atdhe”, ishin të gjithë ata që të kompleksuar nga e kaluara e tyre, përpiqeshin që mos të shkëputen nga kategoria e parë. Pse të kompleksuar? Ngaqë e kaluara e tyre komuniste ishte përplotë me tradhëti, me kriminalitete me prapështira nga më të poshtrat. Këta ishin luftëtarët më të denjë kundër feve. Ndaj, sot, kjo kategori butakësh këtë binom rilindas e shtrembërojnë dhe e keqinterpretojnë.
“Për fe dhe atdhe” kurrë nuk është përdorur si lajtmotiv për të treguar (siç interpretohet sot qëllimisht gabim) se duhet “të luftojmë për fe dhe atdhe” se “pa atdhe nuk ka fe dhe anasjelltas”!
Feja islame, për shembull, nuk është fe të cilën I Gjithëpushtetshmi e fali vetëm në suaza të kufijve të atdheut; nuk u fal që të jetë e plotëfuqishme pasi të krijohen kufijtë e shtetit dhe as feja nuk priti që fillimisht të krijohen shtetet e pastaj të shpallet brenda kufijve të tyre. Islami u shpall si fe universale, që vlenë në çdo kohë e në çdo cep të botës, pavarësisht ku gjendet atdheu!
Sepse, “pa atdhe nuk paska fe”!!! Kështu thonë patriotët me bateria, patriotët shumë të vonshëm, ata që shquhen me një të kaluar përplot tradhëti e shërbime antipatriotike dhe që, sot, e përdorin këtë binom si kapak mbi tenxherenë ku akoma vlojnë vlerat e tyre tradhëtuese.
Sot gjithandej në botën demokratike vlenë vetëm një binom i saktë: “pa liri fetare nuk ka fe”! Sepse, diaspora jonë është mijëra e mijëra kilometra jasht atdheut të tyre. Edhe pse nuk jeton as në Shqipëri, as në Kosovë, as në Maqedoninë Veriore dhe as nëpër viset e tjera etnike, megjithatë, e praktikojnë fenë, e zhvillojnë fene duke u dëshmuar si besimtarë të devotshem. Pra, nëpër atdhe të huaj, nëpër tokat e huaja dëshmojnë se edhe aty ka fe, ka islam, kjo falë lirisë fetare, si kryevlerë e botës demokratike. Në Maqedoninë e Veriut myslimanët jo që nuk kanë atdheun e tyre, jo që nuk luftuan dhe nuk derdhen gjakë për atdheun e tyre ku sot digjet e shkrumohet një xhami, ku nuk lejohet ndërtimi i një xhamie ku ka ekzistuar disa dekada më parë, por nuk kanë liri të plotë fetare, ose ekziston një gjysëm lirie e cila, edhe ajo nëpërkëmbet, pengohet, keqpërdoret, lihet në dorë të matrapazëve, liri që drejtohet nga ata që tashmë janë prekur nga “Sindromi i Stokholmit”!
Semantika e binomit “Për fe dhe atdhe”, sot ka vetëm këtë domethënie: duhet të angazhohemi për fe ngjashëm siç angazhohemi për atdhe. Nëse angazhohemi për ta dëmtuar, për ta dashur rrejshëm dhe për ta nënçmuar fenë kjo ka po atë vlerë të angazhimit për ta dëmtuar, dashur rrejshem dhe për ta dëmtuar atdheun. Në të dy raste shpallesh tradhëtar! Pra, jo se pa atdhe nuk paska fe (islam), por kontribo për fe ashtu siç kontribohet për atdhe. Për atdhe i përgjigjesh isntitucioneve të Atdheut, për fe i përgjigjesh Zotit.
Nëse i ke ikur thirrjes së atdheut, i ke ikur edhe fesë së Allahut! Nëse dëbohesh nga Atdheu, kudo që të strehohesh, fenë e ke me vete. Nëse s’paske atdhe, spaske as fe, rrjedhimisht, nuk je as mysliman! Po ata qindra mijëra shqiptarë që u dëbuan nga atdheu i tyre për në Turqi? Këta shqiptarë të Turqisë, larg atdheut të tyre, a janë myslimanë apo jo? Jo, sipas keqinterpretuesve të sintagmës “Për fe e atdhe”!
Falë lirisë fetare që e garanton Republika e Turqisë, ata jane myslimanë nga ata më të devotshmit, të cilët kurrë nuk e harrojnë atdheun e tyre, madje edhe kontribuojnë denjësisht e pa pompozitet.


(Autori është drejtues i Lëvizjes Myslimane për Reforma në BFI të RMV-së)

Leave a Reply