27.08.2019 – 22:30
Një ish-oficer policie ka mbetur i vrarë në një atentat me armë zjarri të ndodhur mbrëmjen e sotme në Tiranë.
Viktima është Santjago Malko 26 vjeç, me origjinë nga Lushnja dhe banues në Tiranë. Ish-polici u gjet i vrarë brenda një makine tip “BMW X5” me targa AA 153 OO në rrugën “Xhanfize Keko” në zonën e Porcelanit.
Kanë qenë kalimtarët të cilët sinjalizuan policinë, për një person të qëlluar me armë brenda automjetit. Pasi uniformat blu shkuan në vendngjarje, konstatuan se 26-vjeçari Santjago Malko kishte humbur jetën. Shkaqet e kësaj ngjarje të rëndë janë të paqarta.
Forcat policore kanë ngritur postblloqe të shumta për të bërë të mundur ndalimin e autorit/ëve. Paraprakisht, mësohet se ka qenë më shumë se një person dhe dyshohet të jenë arratisur drejt fshatit Ferraj, ku dhe u gjet një makinë e djegur tip Mercedes-Benz.
Gazetari Spartak Koka na sjell pamje ekskluzive nga kodra e fshatit Ferraj ku është gjetur i djegur automjeti i dyshuar i atentatorëve të Santjago Malkos.
Sikurse duket në hartën ilustruese, vrasja ka ndodhur në zonën ku ndodhet shigjeta dhe destinacioni në Ferraj është vendi ku u gjet makina e djegur që dyshohet se u përket autorëve.
Informacioni paraprak i Policisë së Tiranës:
Sonte rreth orës 22:20, në rrugën “Xhanfize Keko”, persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri drejt një automjeti në lëvizje tip “BMW”. Për pasojë ka humbur jetën një i ri, 26-vjeçari S.M. Autorët dyshohet se janë larguar në drejtim të fshatit Ferraj, ku dhe kanë djegur mjetin e tyre, tip “Mercedes-Benz”.
Shërbime të shumta policore kanë ngritur disa pika kontrolli në kryeqytet dhe janë vënë në ndjekje të autorëve. Ndërkohë, ekspertët e kriminalistikës po mbledhin prova në vendngjarje, që do të ndihmojnë hetimin.
Policia ka nisur të shoqërojë persona që mund të kenë dijeni për rrethanat e krimit. Specialistë nga Sektori për Krimet e Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë janë angazhuar si pjesë e grupit të posaçëm hetimor për zbardhjen e ngjarjes dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve. Policia e Shtetit fton këdo që ka dijeni për rrethanat e krimit të telefonojë falas në numrin 112!
Kush është ish-polici
Santjago Malko, ish-punonjës policie i Patrullës së Përgjithshme të Policisë së Tiranës ka qenë më parë i arrestuar. Në Prill të vitit 2016, Santjago Malko u konfliktua me dy vëllezërit Edmond dhe Gentian Lashi në rrugën “Ismail Alla”, disa metra larg Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Konflikti dyshohej të kishte ndodhur për shkak të një borxhi. Santjago Malko kishte shkuar në pikën e basteve të vëllezërve Lashi dhe u përplas fizikisht me ta. Ish-polici tentoi të përdorte armën dhe goditi njërin prej vëllezërve me qytën e saj.
Santjago Malko ka qenë i pranishëm edhe në lokalin në zonën e ish-Bllokut ku mbeti i vrarë Fabian Gaxha në vitin 2018./tvklan.al