Tre persona humbën jetën kur një avion i vogël ra mbi një shtëpi në Wesel, në veriperëndim të Gjermanisë. Sipas asaj që shkruan BBC, identitetet e viktimave nuk dihen ende. I plagosur mbeti edhe një fëmijë, i cili ndodhej gjithashtu në gjendje shoku.
Në avion besohet se ndodheshin 2 persona. Autoritetet policore, për mediat gjermane thanë se avioni ishte ngritur nga Marl.
“Shërbimet e emergjencës u telefonuan rreth orës 14:42. Tre trupa të pajetë u gjetën në papafingon e një ndërtese. Ata janë të gjithë në moshë madhore. Një fëmijë mbeti gjithashtu i lënduar dhe në gjendje shoku”, tha një zyrtar i policisë.
Në vendngjarje dëshmitarë thanë se kishin dëgjuar një shpërthim dhe kishin parë flakë të mëdha. Shtëpia në fjalë ishte e ndarë në 5 apartamente të ndryshme. Shkaqet dhe rrethanat e ngjarjes momentalisht mbeten të paqarta.
Wesel ndodhet rreth 65 kilometra në veri të Düsseldorf-it.