Avioni ushtarak rus rrëzohet në një shtëpi në Siberi

Një avion ushtarak rus është rrëzuar në një ndërtesë banimi në qytetin siberian të Irkutsk.

Si pasojë e incidentit kanë humbur jetën dy pilotë. Në një postim në Telegram, guvernatori i qytetit Igor Kobzev publikoi një video që tregon momentin kur zjarrfikësit luftojnë me flakët. Zyrtarët rusë thanë se avioni ishte i llojit Sukhoi Su-30 dhe po kryente një fluturim provë. Të hënën e kaluar, një Sukhoi Su-34 u rrëzua në një bllok apartamentesh në qytetin jugor të Yeysk, afër Ukrainës ku të paktën 15 persona humbën jetën.

Nga ana tjetër, trupat ruse vijojnë luftimet në frontin e Ukrainës, ku ndodhen në pozicion të vështirë.

Autoritetet ruse në Kherson u kanë bërë thirrje civilëve që të largohen menjëherë për shkak të rrezikut që ekziston. Zyrtarët rusë bëjnë me dije se trupat e tyre kanë parandaluar një përpjekje të Ukrainës për të thyer vijën ruse të kontrollit në këtë rajon.

Ndërsa në qytetin Mykolaiv raketat ruse shkatërruan një bllok apartamentesh. Ky qytet është përballur me bombardimet ruse dhe mungesën e ujit për muaj me radhë.

Sakaq, ministri rus i mbrojtjes Sergei Shoigu ka kryer një bisedë telefonike me homologun e tij francez ku ka paralajmëruar se situata në Ukrainë po përkeqësohet me shpejtësi dhe po shkon drejt përshkallëzimit.

Leave a Reply