Kërkesa për hetim ndërkombëtar të rastit të Lagjes së Trimave të Kumanovës ka nxitur reagimin edhe të avokates së njohur, Artene Iseni, e cila po mbron disa nga pjesëtarët e Grupit të Kumanovës. Ajo përmes një postimi në profilin e saj në facebook ka komentuar qëndrimet e fundit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për hetim ndërkombëtar për këtë rast.
“Kërkesa e Kryeministrit të Republikës së Kosovës z. Albin Kurti, që të bëhet hetim ndërkombëtarë është një ndër obligimet dhe prioritetet e kësaj Qeverie. Vetëm me ekspert dhe hetues të pandikuar nga interesat e atyre që inskenuan dhe realizuan ngjarjen e Kumanovës mund të kënaqet drejtësia dhe djemtë tanë të lirohen tërësisht nga akuza e Terrorizmit. Forca e re shpresa e re”, nënvizoi avokatja Iseni.
Kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti gjatë vizitës së fundit në Shkup përvec prioriteteve për bashkëpunim dhe projekte me interes të përbashkët, me kryeministrin Zoran Zaev ka biseduar edhe për rastin e Kumanovës.
Deputeti dhe nënkryetari i LSDM-së, Muhamed Zekiri në intervistën në Pressing në T7 ka thënë se Kurti ka kërkuar nga Zaev hetim për këtë rast.
“Zotri Kurti ka kërkuar hetim ndërkombëtarë për rastin e Kumanovës. Ia ka kërkuar Zaevit, nuk e di a është mirë që e them, por atë ditë që ishte në takim i kërkoi kryeministrit tonë”, theksoi Zekiri. Hetimi ndërkombëtar më parë ishte theksuar edhe nga vetë Zaev, ministri i brendshëm Oliver Spasovski, ndërsa ky rast ka qenë edhe nën thjerrzën e ish-Prokurorisë speciale./KosovaPost