Shfaqet me flamurin rus në mbështetje të Putin
Srdjan Gjokoviç, babai i Novak Gjokoviç, u filmua në Melbourne Park të mërkurën me një tifoz që mbante një flamur rus, në të cilin ishte stampuar fytyra e presidentit rus Vladimir Putin. Kjo ndodhi pas ndeshjes çerekfinale të Australian Open, në të cilën djali i tij Novak mundi Andrey Rublev. Babai i tenistit madje dëgjohet të thotë edhe ‘rroftë Rusia’. Kjo shprehje është konsideruar si një deklaratë e hapur politike.
Federata australiane e tenisit dhe organizatorët e turneut Australian Open ndalojnë shfaqjen e flamujve rusë dhe bjellorusë, si dhe të çdo simboli të mbështetjes për pushtimin e Ukrainës, siç është shkronja Z që shihet në bluzën e tifozit. Ky simbol është përdorur nga të gjithë rusët në mjetet luftarake të ashtuquajturit operacion special dhe që është miratuar nga mbështetësit e Rusisë në konflikt.
Ky grup tifozësh që valëvitnin flamujt dhe simbolet ruse u përjashtuan të mërkurën. Ata madje kishin kërcënuar rojet e sigurisë, pas ndeshjes. Por megjithatë kjo nuk i ka ndalur këta persona të shprehin mbështetjen e tyre për luftën që po bën Rusia.