Ish-shefja e diplomacisë greke, ndërsa tani deputete e Demokracisë së Re, Dora Bakojani, në një intervistë për radion greke “Njuz247” thotë se për vendin tonë do ta përdorë emrin e ri Maqedonia e Veriut, por nuk do të mund të thotë maqedonas për shembull apo ministër maqedonas, njofton korrespondenti i MIA-s nga Athina.
“Gjithsesi do ta quaj Maqedonia e Veriut, siç e quaj çdo vend me emrin e tij. Unë gjithmonë, vendin fqinj e quaja ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, që ishte emri i saj zyrtar. Tani kur emri zyrtar është Maqedonia e Veriut do ta quaj Maqedonia e Veriut. Atë që nuk do të mund ta bëj është të them maqedonas për shembull. Kryeministrin e ardhshëm apo zotin Zaev do ta quaj kryeministër i Maqedonisë së Veriut. Kryeministër maqedonas dhe ministër maqedonas nuk do të them. Nuk do të them, pasi vlerësoj se ky është gabimi kryesor dhe shumë i madh i kësaj marrëveshje”, tha Bakoyanni.
Gjatë intervistës për radion greke e pyetur për mospajtimet e Demokracisë së Re për Marrëveshjen e Prespës, Bakojani duke u përqendruar në vendin tonë, vetë e përdori emrin Maqedonia e Veriut.
“Mospajtimi ynë me Marrëveshjen e Prespës është i thellë dhe thelbësor, pasi atë që ne e themi është se në afat të gjatë, pasi nuk është zgjidhur çështja identitare, gjegjësisht irredentizmi, do të ekzistojnë probleme edhe në brendësi të Maqedonisë së Veriut edhe jashtë”, tha Bakoyanni./MIA/