“Ndryshojmë ligjin për gradat në Policinë e Shtetit”
Emiratet e Bashkuara Arabe nuk do të jenë më strehë për eksponentët e krimit në Shqipëri, kjo pasi autoritetet po punojnë për nënshkrimin e një marrëveshje ekstradimi. Deklarata u bë nga Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i cili njoftoi se brenda pak javësh do realizojë një tjetër vizitë në Dubai me qëllim finalizimin e kësaj marrëveshje.
“Ne po punojmë me autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe për të pasur sa më shpejt një marrëveshje ekstradimi. Pas disa javëve do të jem zyrtarisht në Emiratet e Bashkuara Arabe për t’u takuar me autoritetet më të larta qoftë në Ministrinë e Brendshme, qoftë në Ministrinë e Drejtësisë për të finalizuar një marrëveshje e cila të na mundësonte që edhe ky vend të mos jetë më si oaz shpëtimi për të gjithë ata që kanë probleme me drejtësinë. E vërteta është që dua ta nënvizoj, kemi një bashkëpunim të shkëlqyer me agjencinë ligjzbatuese të këtij vendi dhe rezultatet e këtyre ditëve po e konfirmojnë këtë gjë”, tha Balla.
Autoritetet e këtij vendi në bashkëpunim me Interpol Tirana, ka lokalizuar dhe vënë në pranga disa të shumëkërkuar nga Shqipëria si Plaurent Dervishaj, Julian Meçaj, Florenc Çapja, Denis Brajoviç etj. Ngërçi i vetëm për vënien e tyre para drejtësisë mbetet marrëveshja e ekstradimit, për të cilën ministri Balla shprehet optimist se do përmbyllet së shpejti.
Balla u ndal dhe tek ligji për Policinë e Shtetit, ku tha se së shpejti do hidhen për konsultim disa nga ndryshimet e bëra.
“Ligji i ri i Policisë së Shtetit duhet të garantojë një dinamizim të karrierës brenda Policisë së Shtetit. Duke i dhënë mundësi meritokracisë që të jetë dimensioni kryesor i të bërit karrierë, duhet t’u garantojmë çdo punonjësi të ndershëm, profesionist të Policisë të bëjë karrierë.“
Ministri gjithashtu lajmëroi se së shpejti do nisin diskutimet edhe Kodin Etik të Policisë së Shtetit.