Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka vijuar turin e bashkëbisedimit me qytetarët në Berat, Fushë – Mbret të Elbasanit dhe në Peqin. Kreu i opozitës është njohur me shqetësimet e banorëve për papunësinë.
Banorët shprehën gjithashtu shqetësimin për largimet me të padrejtë nga skema e ndihmës ekonomike dhe futjes në të, të miqve dhe familjarëve të qeveritarëve.
“Në qoftë se shumica prej jush këtu në Berat, të djathtë e të majtë, mendoni se kjo nuk është aspak rruga e duhur, e punësimit, e pakësimit të varfërisë, e së ardhmes dhe perspektivës për të rinjtë, t’i japim një mesazh të fortë me votën tonë, me një votë kundër papunësisë, kundër varfërisë, kundër mosmbajtjes së premtimeve dhe kundër mosbërjes asgjë për të mbajtur premtimet”, tha Basha.
Rritja e çmimit të energjisë dhe papunësia ka bërë të pamundur jetesën, i thanë zotit Basha banorët në Fushë – Mbret të Elbasanit. Miliona euro janë hedhur në investime luksi në Elbasan të cilat nuk kanë hapur asnjë vend të ri pune, vetëm kanë mbushur xhepat e qytetarëve dhe rritur borxhin për qytetarët.
“Taksat i rrit, çmimin e energjisë e rriti, akcizën e naftës e rriti. Të paktën të lante borxhin. Jo, e rriti edhe borxhin. Ku janë paratë? Të paktën të mbaronte rrugën, as rruga nuk mbaron. Ku janë paratë? Ku janë 100 milionë dollarë që i mungojnë buxhetit të shtetit për periudhën janar-prill? Përgjigja vjen me votë më 21 qershor”, shtoi kryetari i PD-së.