Me biznesmenët e Lezhës, Lulzim Basha akuzoi qeverinë se, me sjelljen e saj arbitrare dhe respresive, ajo po dëmton rëndë ekonominë e vendit. Sipas kreut të opozitës, politika e taksave të larta, bashkë me konsumin edhe të ardhurat në buxhet janë në rënie të lirë, pavarësisht rritjes së fortë të taksave.
“Pra cilat janë efektet? Asnjë nga ato të dëshiruara, as punësim e as të ardhura. Në rënie të lirë. Shtatori ka sjellë 35 mln dollarë më pak të ardhura. Me pretekstin më të vogël vendosen gjoba dhe sërish po mblidhen më pak. Diçka nuk shkon. Ka tkurrje dhe rënie”, ka thënë Basha.
Në bashkëbisedimin me bizneset në Lezhë, Lulzim Basha nuk bëri vetëm akuza. Kreu i opozitës dha edhe zgjidhje, që – sipas tij, – duhet të nisin nga biznesi i vogël. Së pari, duke rritur kufirin e xhiros në 12 milionë lekë dhe, së dyti, duke hequr atë që e quan “darë” të tatimorëve nga fyti i biznesit të vogël, me vendosjen në mënyrë të dukshme të pullës fiskale në mjediset e punës.
“Kjo pullë është ndalimkalimi për tatimorët. Asnjë inspektor tatimor nuk futet në një biznes, që ka demostruar pullën fiskale”, tha më tej Basha.
Edhe për biznesin e madh, oferta e opozitës është e drejtpërdrejtë: taksa të ulëta, që vetë biznesi do t’i kthejë në investime dhe vende pune.
“Për biznesin e madh, vendosja e taksës së sheshtë 9 për qind, që ul deri me 6 për qind nivelin aktual të taksave. Kjo masë riqarkullon 500 mln euro në ekonomi, që aktualisht përfundojnë në xhepat e oligarkëve dhe zyrtarëve të korruptuar”, tha Lulzim Basha.