Pas marrjes së raportit të progresit nga ambasadorja e BE-së në Tiranë, Lulzim Basha fajësoi drejtpërdrejtë Edi Ramën si përgjegjësin kryesor për mungesën e hapjes së bisedimeve të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
“Fakti është që përgjegjësia për moshapjen e negociatave është e atij që më 21 qershor pamundësoi zgjedhje demokratike duke shkatërruar procesin zgjedhor. Përgjegjësia është e njëriut që edhe sot e kësaj dite zvarrit pafundësisht konsensusin për dekriminalizimin duke u bërë mburojë e njerëzve që promovoi në Parlament dhe pushtetin vendor, individë vrasës, të lidhur me drogën dhe prostitucionin. Moshapja e negociatave është përgjegjësi e njeriut që nga njëra anë ngre gishtin tek gjyqësori, por nga ana tjetër refuzon të emërojë gjyqtarët në Gjykatën e Lartë sepse përdor si mazha gjyqtarët me mandat të skaduar”, tha Basha.
Megjithatë, sipas Bashës, dëmi që po i shkakton kjo qeveri vendit, nuk është vetëm politik, por edhe ekonomik. Për këtë ai ripërsëriti akuzat e opozitës për disa emra të kabinetit qeveritar si Ilir Beqajn, që opozita e akuzon për korrupsion me tenderat në shëndetësi, Damian Gjiknurin për marrëveshjen me CEZ, Saimir Tahirin, që e akuzon për lidhje me trafikun e drogës dhe Arben Ahmetajn, për tender korruptiv për landfillin e Elbasanit.
Basha vlerësoi vlerësoi se raporti trajton shqetësimet e mëdha të vendit, për të cilat akuzoi kryeministrin Rama se nuk po reflekton për këtë.
“Nuk ka asgjë të përbashkët ëndrra jonë europiane me këtë qeveri. Mosreflektimi i Edi Ramës nuk është më risi për shqiptarët. Shqipëria është i vetmi vend me statusin kandidat pa negociata të hapura”, shtoi Basha.
Më tej, kreu i opozitë ripërsëriti thirrjen për mosbindje civile.
“Mosbvindje civile dhe të marrim në dorë fatet e vendit si europianë sepse kjo qeveri është në muzgun e saj dhe përpara e pret një natë e errët e zullumit. Koha ka ardhur që të reagojmë të gjithë së bashku”, mbylli fjalën e tij Basha.