Rritja ekonomike për Shqipërinë në 2023 pritet 2.2%
Ekonomia globale është pranë rrezikut të rënies në recesion. Ky është parashikimi aspak optimist që bën Banka Botërore në këtë raport të fundit për 2022 dhe pritshmëritë e këtij viti të ri. Në raport vlerësohet se ekonomia botërore pritet të rritet me vetëm 1.7% këtë vit duke shënuar një rënie të ndjeshme nga 3% që ishte parashikimi i bërë në Qershor të vitit të kaluar. Si shkaktarë të kësaj situate raporti vlerëson një sërë faktorësh që burojnë nga pushtimi rus i Ukrainës dhe ndikimi i pandemisë.
Efektet e normave më të larta të interesit dhe rritjes së çmimeve veçohen si sfidat kryesore që qeveritë duhet të kapërcejnë. Rritja globale 1.7% do të jetë më e ulëta që nga viti 1991, me përjashtim të recesioneve të viteve 2009 dhe 2020 të cilat u shkaktuan nga kriza financiare globale dhe pandemia. Banka Botërore thotë se SHBA, Eurozona dhe Kina, tre pjesët më me ndikim për rritjen ekonomike po kalonin të gjitha një periudhë dobësie të theksuar. Kjo do të përkeqësojë problemet edhe në vendet e varfra.
Sa i përket Shqipërisë Banka Botërore vlerëson se rritja ekonomike këtë vit do të jetë 2.2%, apo 1.3% më pak se parashikimi i bërë 6 muaj më parë. Ndër vendet e tjera të rajonit tonë, Kosova pritet ta ketë rritjen e ekonomisë 3.7%, Serbia 2.3, Mali i Zi, 3.4. Banka Botërore u rekomandon qeverive të rritin investimet për të krijuar vende pune si dhe të trajtojnë borxhin sidomos në vendet e varfra.