Vizitat e kryeministrit Viktor Orban në Rusi e Kinë pa u konsultuar me zyrtarët më të lartë të BE ka thelluar edhe më shumë ndasitë mes bllokut dhe Hungarisë, ndërkohë që vendi mban presidencën deri në fund të vitit.
Komisionerët europianë do të bojkotojnë takimet që Viktor Orban do të mbajë gjatë kësaj periudhe në kuadër të presidencës dhe do të përfaqësohen nga zyrtarë të nivelit më të ulët.
“Në vazhdën e zhvillimeve të fundit, që shënojnë fillimin e presidencës hungareze, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka vendosur që komisioni të përfaqësohet në nivelin e nëpunësve civilë. Vizita e kolegjit në presidencën hungareze nuk do të realizohet”, tha zëdhënësi i Presidencës së Komisionit Evropian, Eric Mamer.
Hungaria protestoi kundër këtij vendimi. Ministri i Çështjeve Evropiane, Janos Boka tha se komisioni nuk mund të vendosë se me cilët institucione apo vende anëtare të bashkëpunojë.
Vendimi i europianëve vjen si hakmarrje ndaj liderit hungarez, i cili u takua me Vladimir Putin dhe Xi Jinping sapo mori presidencën për ato që ai i quajti përpjekje për paqe.
Për të njëjtën arsye në PE ka nisur gjithashtu një iniciativë për t’iu kërkuar rganeve përgjegjëse të Bashkimit Evropian, që t’i pezullojnë Hungarisë të drejtën e vetos.
Viktor Orban është lideri më i zëshëm europian, i cili ka kundërshtuar paketat e ndihmave ndaj Ukrainës dhe ka ruajtur raportet më Rusinë e Kinën.