Brukseli dhe Berlini nuk e kanë publikuar përmbajtjen konfidenciale të dokumentit
Burime nga BE dhe nga Zyra e Kancelarit të Gjermanisë Olaf Scholz, kanë konfirmuar pranimin e draft-statutit për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë të paraqitur nga kryeministri Rama.
“Mund të konfirmojmë pranimin e një dokumenti të tillë në Kancelari. Kërkojmë mirëkuptimin tuaj, për shkak se nuk mundemi të komentojmë në përmbajtjen konfidenciale të dokumentit.”
Edhe në Bruksel thonë se kanë pasur mundësi të shohin tekstin e draftit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, të dorëzuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Sipas burimeve diplomatike në Bruksel, ky tekst po analizohet me kujdes.
“Teksti është i shkruar me shumë seriozitet, dhe për nga mënyra e të shkruarit ka një cilësi shumë të lartë. Në BE janë paraqitur drafte të ndryshme, nga organizata të ndryshme joqeveritare që mund të shërbejnë si model për të siguruar një model të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin etnik serb në Kosovë. Teksti është i shkruar me shumë seriozitet, dhe për nga mënyra e të shkruarit ka një cilësi shumë të lartë ndaj po analizohet me kujdes. Nuk është aq e rëndësishme se si e trajton BE-ka këtë draft, por si e trajtojnë palët, Prishtina dhe Beogradi. U takon atyre që, në kuadër të dialogut, të avancojnë në drejtim të përmbushjes së këtij obligimi“, ka thënë një diplomat i BE-së.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se ua ka dërguar draftin për Asociacionin, Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, dhe Kancelarit gjerman, Olaf Scholz.
Në takimin e fundit të nivelit të lartë në Bruksel në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është prezantuar një draft për Asociacionin, i përpiluar nga ekipi menaxhues – i përbërë prej katër pjesëtarëve të komunitetit serb.
Ky ekip u shkarkua një ditë më vonë, nga autoritetet e Kosovës.
Vetë kryeministri Kurti, më 2 Maj e ka prezantuar një “draft vizion“ për Asociacionin, duke u bazuar në shembullin e Kroacisë, ku ekziston një Këshill Kombëtar për komunitetin serb.
Qeveria aktuale e Kosovës është deklaruar kundër një Asociacioni 1-etnik me kompetenca ekzekutive pasi mund të shërbejë, sipas saj, për krijimin e një Republika Srpska që mund të kërkonte bashkim të veriut me Serbinë.