Bashkimi Europian është i brengosur për situatën e komplikuar politike në Maqedoni. Ambasadorja e Francës në Shkup, Laurence Auer ftoi udhëheqësit politikë në vend, që të intensifikojnë përpjekjet për zbatimin e marrëveshjes së 2 qershorit, për ta nxjerrë vendin nga kriza.
“Duhet të them se jemi të brengosur dhe dëshirojmë që marrëveshja të zbatohet në tërësi, sepse ajo marrëveshje nuk është nënshkruar vetëm nga vendet e BE-së, por edhe nga të gjithë drejtuesit e vendit. Pikërisht ata duhet të bëjnë përpjekjet maksimale, që marrëveshja të zbatohet plotësisht”, tha Laurence Auer, ambasadore e Francës në Maqedoni.
Përfaqësuesit politikë në Shkup, ende nuk kanë arritur të përafrojnë qëndrimet rreth ligjit për qeverinë kalimtare, që duhet të organizojë zgjedhjet e parakohshme; për Prokurorinë speciale; si dhe për ligjin, që ka të bëjë me ndalimin e publikimit të materialeve të përgjuara.
Diplomatja franceze tha se, përgjegjësia për zbatimin e marrëveshjes së 2 qershorit bie mbi të gjithë nënshkruesit e këtij dokumenti.
“Ne ende besojmë në marrëveshjen e 2 qershorit dhe besojmë se duhet t’i krijohen mundësitë, që ajo të zbatohet në tërësi”, tha Laurence Auer, ambasadore e Francës në Maqedoni.
Partitë politike në Shkup kanë shkelur të gjitha afatet për zbatimin e marrëveshjes, për zgjidhjen e krizës. Për këtë shkak, Komisioni Europian mund ta tërheqë nga raporti i progresit të këtij viti, rekomandimin për çeljen e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë në BE.