Nën hijen e një lufte globale tregtare, udhëheqësit e Britanisë dhe Gjermanisë u takuan të dielën në Checkers dhe i lëshuan sinjalet e para administratës Trump. Dhe përgjigja europiane e britanike është një traktat i ri tregtie mes palëve. Gjatë takimit, kryeministri Starmer tha se dëshiron të shohë “marrëdhënie të forta tregtare” nën administratën e presidentit të ShBA-së Donald Trump. Gjithashtu ai shpresoi për një “rivendosje” të marrëdhënieve midis Britanisë dhe Bashkimit Europian. Për kancelarin gjerman Scholz është e rëndësishme që bota të mos ndahet me barriera të reja tregtare, pasi të gjithë përfitojnë nga globalizimi.
Diskutimi i udhëheqësve të dy prej ekonomive më të mëdha të Europës vjen pasi presidenti amerikan Donald Trump shpalli vendosjen e tarifave prej 25% për mallrat nga Meksika dhe Kanadaja dhe 10% për importet nga Kina.
Të lidhura
Nga këto tarifa do të goditet prodhuesi më i madh i makinave në Europë Volkswagen. Kompania tha se ka hyrë në bisedime për të shmangur konfliktin tregtar. Fabrika e kompanisë Puebla, është më e madhja e Meksikës dhe një nga më të mëdhatë e Grupit Volkswagen, që prodhoi afro 350,000 makina në vitin 2023, të gjitha për eksport në Shtetet e Bashkuara.
Prodhuesit gjermanë të automjeteve, prej të cilëve Volkswagen do të preket më shumë, thanë se tarifat do të shkaktojnë inflacion për konsumatorët.