Bashkimi Evropian njoftoi miratimin e marrëveshjes që do të sigurojë 200 milionë doza të vaksinës të zhvilluar nga kompania amerikane e bioteknologjisë Novavax kundër koronavirusit.
Komisioni i BE-së njoftoi se marrëveshja e shtatë u nënshkrua me kompaninë Novavax brenda fushës së strategjisë së parablerjes së vaksinave të zhvilluara kundër COVID-19.
Në deklaratë thuhet se pasi vaksina e zhvilluar në përputhje me marrëveshjen e miratuar të provohet e sigurt dhe efektive kundër COVID-19, gjithsej 200 milionë doza, 100 milionë prej të cilave janë opsionale, do të blihen në emër të shteteve anëtare të BE-së sipas Anadolu Agency.
Komisioni rikujtoi se Unioni më parë kishte nënshkruar marrëveshje për blerjen e vaksinave me kompanitë AstraZeneca, Sanofi-GSK, Johnson and Johnson, BioNtech-Pfizer, CureVac dhe Moderna, duke shtuar se po ashtu kanë përfunduar negociatat paraprake me kompaninë Valnera.
Më 27 korrik, BE-ja njoftoi se ka arritur objektivin e saj për të vaksinuar 70 për qind të popullsisë së rritur. Ajo planifikon të sigurojë më shumë se 1 miliard doza të vaksinës deri në fund të shtatorit.
Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) deri më tani ka lejuar përdorimin e vaksinave të prodhuara nga kompanitë Pfizer/Biontech, Moderna, AstraZeneca dhe Johnson and Johnson në vendet e BE-së.
EMA është duke vazhduar vlerësimin paraprak të vaksinave Sinovac, Curevac, Novavax, Sputnik V dhe Sanofi Pasteur.