Berisha bën thirrje: Hetim ndërkombëtar nga OKB për reprezaljen në kampin e muxhahedinëve

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha thotë se duhet të kryhet një hetim ndërkombëtar lidhur me kontrollet në kampin e muxhahedinëve në Manzë të Durrësit ditën e djeshme nga Policia e Shtetit.

Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, kryedemokrati Berisha, thotë se është e domosdoshme që të nxirren para ligjit ata që sipas tij kanë shkaktuar plagosje tek banorët e këtij kampi.

Sali Berisha: Të gjitha këto kërkojnë një hetim. Një hetim ndërkombëtar, në mënyrë të veçantë një hetim nga OKB që i ka në mbikëqyrje. Gjithashtu, autorët e dhunës duhet të dalin përpara gjyqit. Si u vra ai që vdiq? Ata që kanë thyer kocka të refugjatëve, duhet të përballen me ligjin. Se thanë spraj, por spraji nuk thyen kocka. Është e domosdoshme një hetim që të nxjerrë abuzuesit me të drejtat e njeriut. Në njoftimin e DASH ka një element të rëndësishëm që vetë këta shkelin të drejtat e njeriut. Kjo është absolutisht e rëndë. Edhe kjo duhet të jetë pjesë e hetimit të OKB-së. Nuk mund të përdoret kampi i strehimit për të dhunuar të drejtat e njerëzve të komunitetit. Se ai nuk është kamp ushtarak, është kamp refugjatësh. Por kjo është qeveri si kjo. Ai duhet të jetë një kamp që respekton liritë dhe të drejtat e banorëve të kampit. Pra, këto janë problemi i një ngjarje që tronditi shoqërinë. Se janë njerëz që kanë një histori të gjatë, të dhimbshme. Kanë edhe gabime në qëndrimet e tyre, por prapë kanë qëndruar për lirinë e vendit të tyre më së shumti dhe janë këtu si miq, refugjatë. Unë nuk kam qenë për kamp fare, por që të strehoheshin dhe të integroheshin. Në atë kohë pati ksenofobë, por ata mund të integroheshin në shoqërinë shqiptare.Ky variant u ndryshua nga kjo qeveri.

Kryetari i PD-së, Sali Berisha thotë se sipas tij “narkoshteti shqiptar” zgjodhi ditën e refugjatëve për një reprezalje në kampin e muxhahedinëve në Manzë.

Sali Berisha: 20 Qershori do të shënohet në historinë e Shqipërisë, Europës dhe botës si një ditë turpi. Si një ditë në të cilën, narkoshteti shqiptar pikërisht zgjodhi ditën e refugjatëve, për një reprezalje, përmasat e të cilës, sipas medieve, janë krejt të tjera nga ato që thotë ministri Çuçi dhe zëdhënësi i tij, Rrumbullaku. Mediat, përveç viktimës, informojnë për gjymtyrë të thyera, të cilat nuk mund të ndodhin kurrë me spraj, për koka të cacra, për plagosje të rënda. Pra, një brutalitet dhe një dhunë e egër, e dënueshme, e papranueshme. Tani, për ju dhe për shqiptarët, dua të saktësoj disa momente. Marrëveshja për sjelljen në Shqipëri të muxhahedinëve të popullit, ka nisur zbatimin e saj gjatë qeverisë së mëparshme. Në atë kohë, muxhahedinët e popullit ndodheshin në një kamp në Irak dhe ishin objekt sulmesh, granatimesh të egra dhe të pamëshirshme nga qeveritarët irakianë. Kërkesës së Departamentit të Shtetit, gjatë një vizite që unë bërë në Uashington, për të marrë dhe strehuar në Shqipëri muxhahedinët, unë i dhashë këtë përgjigje: së pari, po, do marrim një kontingjent pilot për të parë si po ecën sistemi dhe qëndrimi i tyre. Së dyti, kërkesa e dytë për t’i marrë ishte që të hiqeshin nga lista e grupit terrorist, sepse ata ishin të listuar nga DASH si grup terrorist. Kërkesa e tretë ishte që ata në Shqipëri do vinin nën ombrellën e OKB-së. Tani të ndalemi pak te kjo kërkesë, sepse ata duhet të gëzonin pavarësisht nga mikpritja shqiptare, të gjithë të drejtat e njerëzve refugjatë, të përcaktuara nga konventat ndërkombëtare dhe mbrojtjen e tyre.  Autoritetet e SHBA i kanë pranuar këto kërkesa. Tani, gjatë periudhës së negociuam dhe i sollëm, nuk parashikohej ngritje e një kampi. Alternativa jonë ishte marrja me qira e banesave në zona të ndryshme të Tiranës dhe natyrisht asistenca për jetën e tyre normale si mysafirë që do ishin. OKB-në nuk e thirrëm për të ndihmuar me ushqime, por për kuadrin e të drejtave të tyre. Pa dyshim që kërkesë tjetër ishte që nga territori i Shqipërisë nuk mund të zhvillohej veprimtari në dëm të një shteti tjetër. Ata e kishin pasur këtë etiketën si grup terrorist dhe ne nuk mund të pranonim akte, veprime të armatosura, të nisura nga territori i Shqipërisë, të kryheshin nga grupi i muxhahedinëve të popullit. Këto ishin kërkesat. Erdhi grupi i parë, nja 220 vetë. Më vonë, qeveria mori edhe 2700 të tjerë a 2800 të tjerë. Në mos gaboj, ata blenë tokën në Manëz, Edi Rama firmosi lejen e ndërtimeve dhe të kampit të tyre. Kjo deri këtu./tvklan.al

Leave a Reply