“Ne hyjmë në zgjedhje si shumicë e qartë sasiore e këtij vendi”
Nga takimet me demokratët e Njësisë 8 në kryeqytet, lideri i PD-së, Sali Berisha nuk i ndali akuzat ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj. Ai tha se Veliaj u arratis drejt SHBA-ve, porse nuk do të gjejë shpëtim atje dhe pse sipas tij, i ka shpëtuar dosjes së inceneratorëve.
“U nis për në SHBA për t’u thënë atyre hajdutëve përreth, se do të gjejë atje shpëtimin. E kuptoni, pse e duan Amerikën këta? Këta mendojnë se, Amerika është rifurxhio për hajdutët. Absolutisht, do ta kthejë FBI atë paketë, të paketuar. Nga Amerika ose vjen ose shkon drejt në burg”.
Bilancin e vitit 2024, Berisha e cilësoi si të suksesshëm për PD-në me një sërë betejash të fituara, që sipas tij konsideroheshin të pamundura.
“Ne hyjmë në vitin 2025 si shumicë, jo vetëm cilësore, por si shumicë e qartë sasiore e këtij vendi dhe kombi. Ne, u përballëm me të keqen, u përballëm me të këqija të mëdha, u përballëm me një grup hajdutësh të cilët me shifra, me fakte nuk i ka pasur kurrë Shqipëria të tillë. Nuk u lodhëm, i shkuam hajdutit 40 javë tek bashkia, dhe e garantoj se kurrë aq nuk do të ketë gjersa të përfundojë atje ku e ka vendin”.
Lideri i opozitës ka nisur një tur takimesh me degët e PD-së, ku po kërkon mobilizimin maksimal të strukturave për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 11 Majit, për të krijuar frontin më të gjerë opozitar që nga vitit 1992.