Ish-kryeministri Sali Berisha të martën deklaroi se Gjykata e Parisit ka pranuar padinë e tij për shpifje ndaj Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken.
Lajmin e dha vetë ish-kryeministri Berisha, gjatë fjalës së tij në “Foltoren” e Kavajës, duke e ftuar sekretarin Blinken të dërgojë në Gjykatën e Parisit çdo provë, fakt apo dokument që ka për ish-kryeministrin shqiptar.
“Gjykatësi i Parisit ka pranuar padinë e Sali Berishës. E ftoj sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken të dërgojë në Gjykatën e Parisit çdo provë fakt dhe dokument që ka për Sali Berishën. Por ju garantoj se ka zero, zero fakte. Për problemin tim e kisha zgjedhur rrugën dhe këtu para jush edhe njëherë do të them; rroftë drejtësia”, tha Berisha.
Ish-kryeministri në një konferencë për mediat, pak orë pasi Departamenti Amerikan i Shtetit dha lajmin, lajmëroi se avokati i tij ka depozituar në Gjykatën Korreksionale të Parisit, padinë për shpifje ndaj Sekretarit të Shtetit Amerikan Antony Blinken.
“Kurrë se kisha menduar se do detyrohesha të ngreja padi ndaj një sketretari të SHBA-së, të një vendi që e adhuroj kaq shumë,” tha ish-kryetari i PD-së.
Berisha e cilësoi politik dhe pa baza vendimin e SHBA për ta shpallur “non grata”. Ai tha se këtë e provon fakti se ndaj tij nuk është publikuar asnjë fakt pavarësisht kërkesës së bërë tre muaj më parë. Sipas Berishës kjo nuk është bërë pasi “faktet nuk ekzistojnë”.
Ish-kryeministri tha se çështja ndaj tij ka prapavijë qëndrimet kundër ndarjes së Kosovës dhe denoncimet e ndikimeve politike të George Soros në Shqipëri. Ai u shpreh se kjo padi ndaj Blinken “është padi për dinjitetin njerëzor” dhe kundër “diktatit të barit”.
Duke u ndalur te deklaratat e Ambasadores Yuri Kim, e cila kërkoi distancimin e PD-së nga Berisha, ai këmbënguli se do të jetë në parlament si deputet demokrat.
“Irritimi i saj (Ambasadores Yuri Kim) ishte për daljen time në një televizion të Kosovës ku shpreha rezervat e mia ndaj Mathew Palmer për shkak se ai ka qenë promotor i projektit për ndryshimin e kufijve të Kosovës dhe unë kam qenë një nga kundërshtarët e flaktë të atij projekti,” tha ish-kryeministri.
Berisha u shpreh se në takimin e zhvilluar në selinë e PD-së mes Kim dhe Bashës, ky i fundit i ka kërkuar ambasadores transparencë mbi akuzat, por që “nuk ka marrë përgjigje pozitive”.
Më 19 maj Sekretari i DASH Blinken njoftoi se kishte shpallur Berishën dhe familjarët e tij “të padëshiruar” në SHBA për “korrupsion të niveleve të larta” dhe “cenim të demokracisë”.