“Do jetë kryefjalë e opozitës në Kuvend”
Sali Berisha doli përpara mediave për të falenderuar NATO-n, e cila tha se ka kundërshtuar masterplanin e portit të ri tregtar të Porto Romanos, pasi projekti nuk i përmbahej kapaciteteve të aleancës për ankorimin e mjeteve. Sipas kreut të demokratëve në këtë mënyrë NATO-ja rrëzoi përpjekjet e Kryeministrit për të mashtruar me mega-aferën e portit të Durrësit.
“Falënderoj aleancën për qëndrimin e saj në mbrojtje të interesave jetike të shqiptarëve dhe dizaprovimin e hapur të projektit të mashtrimit të Porto-Romanos, me të cilin Edi Rama kërkon të mashtrojë shqiptarët dhe NATO-n. Janë një përpjekje monstruoze për të veshur me petkun e aleancës, për të mbuluar vjedhjen e madhe të tmerrshme që po i bëhet pronës publike të shqiptarëve”.
Teksa akuzoi kryeministrin se qëndron pas kësaj afere, Berisha nuk kurseu kritikat edhe në adresë të presidentit.
“Në çdo vend, në këtë situatë, kreu i shtetit do kishte mbledhur Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe do gozhdonte kryetarin e qeverisë për këtë aferë mafioze që kërkon me çdo kusht të bëhet miliarder me pronat publike të shqiptarëve dhe të kërcënojë sigurinë e Shqipërisë dhe të NATO-s për aq sa portet e Shqipërisë kanë rëndësi strategjike për aleancën”.
Kreu i demokratëve paralajmëroi mazhorancën se me rinisjen e punimeve të parlamentit kjo çështje do të jetë në krye të axhendës së opozitës.