Pak orë përpara skadimit të afatit për regjistrimin e koalicioneve në KQZ, Partia Demokratike e Sali Berishës ende nuk zbulon formulën që kanë zgjedhur për të regjistruar kandidatët për kryetarë bashkie dhe këshilltarë bashkiakë, si pjesë e një koalicioni. Vetë Sali Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar siguron se ai do të jetë koalicioni më i madh dhe që do të fitojë me siguri garën e 14 Majit.
Pasi Komisioneri i Zgjedhjeve nuk e regjistroi si subjekt elektoral as grupimin që ai drejton, por as atë që drejtohet defakto nga Alibeaj, Berisha rreshton një sërë akuzash për këtë të fundit si levën e Edi Ramës.
“Të marrësh përsipër për të kandiduar vetëm për të dëmtuar opozitën, do të thotë vetëm për të ndihmuar Edi Ramën, kjo përbën një akt shumë të rëndë personal. Unë mund të kem besim se pallat-Kapllani, që numëron në listë 90 e ca tendera nga qeveria, nuk do jetë i detyruar të zbatojë urdhrat, por unë kam besim te qytetarët, kam besim te demokratët, që do bashkohen, do i trajtojnë këta individë si paterica të Edi Ramës.”
Por pavarësisht betejës elektorale për lokalet, Berisha kërkon vëmendje dhe për luftën parlamentare me shumicën e skandaleve sipas tij. E këtu e akuzon kryeparlamentaren se po mban në sirtar me urdhër politik një sërë nismash të opozitës, si ajo për lustracionin e atë për hetimin e udhëtimeve të kryeministrit.
Për zvarritjen e nismës tjetër atë për rezolutën për genocidin serb në Kosovë të depozituar rreth 9 muaj më parë në Kuvend, Berisha akuzon Ramën që si puthadorë i Vuçiçit sipas tij pengon miratimin.