Zhvillohet para Kryeministrisë protesta kundër Open Balkan dhe korrupsionit në aferën e inceneratorëve e thirrur nga ish-Kryeministri Sali Berisha.
Lideri historik tha gjatë fjalës së tij para tubuesve se në protestë ngrihen fuqishëm në mbrojtje të interesave jetike të kombit shqiptar. https://www.youtube.com/embed/8z_rOfr1Zuc
“Ne jemi mbledhur sot këtu për të protestuar kundër projektit fantazmë të aleancës trilaterale Beograd-Tiranë-Shkup apo të treshes Vuçiç dhe vasalët e tij, Rama dhe Zaev. Në krye të radhës dua të garantoj shqiptarët dhe miqtë tanë se kjo nuk është një protestë kundër bashkëpunimit rajonal. E kundërta është e vërtetë. Jemi, kemi qenë dhe mbetemi të angazhuar për një bashkëpunim, të sinqertë, të frytshëm rajonal, për integrime rajonale në kuadër të integrimit europian. Kjo është një protestë kundër një projekti që shkon në kurriz të mbarë kombeve të Ballkanit përveç Beogradit. Kundër një projekti i cili është refuzuar në mënyrë kategorike nga Bosnja, Mali i zi dhe Kosova, është shpallur si kërcënim nga Kroacia. Një projekt, i cili nuk synon gjë tjetër veçse vendosjen e hegjemonisë serbe në këtë rajon. Ne jemi kundër këtij projekti sepse historia ka faktuar se një nga dështimet më të mëdha në Ballkan në botë dhe Europë ka qenë ideja e hegjemonizmit serb në Kosovë. Jemi kundër këtij projekti sepse bie ndesh në mënyrë flagrante me interesin tonë kombëtar. Në fillimet e tij ky projekti rindërtoi hartat e rajonit duke fshirë Kosovën si shtet i pavarur. Në fillimin e tij vuri si maskë Minishengenin për të mashtruar vendet e Ballkanit. Më vonë projekti mori emrin Ballkani i Hapur për të nderuar autorin apo propagandistin e “Shoqërisë së Hapur” i cili nuk ngruronte të promovonte ndarjen e Kosovës mbi bazën e linjave etnike të pastërta. Miqtë e mi, sot ne protestojmë si shqiptarë në këtë shesh sepse “Miniballkani i Hapur” është hapur me të cilin Vuçic dhe Edi Rama kanë rrethuar Kosovën në një darë armiqësore dhe kërkojnë të asgjesojnë pavarësinë e saj”, tha Berisha.
Sipas Berishës, Open Balkan kërkon zëvendësimin e Procesit të Berlinit.