“Ia ka kaluar edhe presidentit Bush, 22 mln euro abuzim udhëtime me çarter”
Edi Ramën e paralajmëroi që të japë dorëheqjen përpara protestës së 12 Nëntorit, në të kundërt tha se do ta largojnë qytetarët e zemëruar.
“Qytetarët do flasin ndaj e ftoj të japë dorëheqjen dhe të mos presë protestën.”
Superskandal pas atij të inceneratorëve i cilësoi Sali Berisha udhëtimet e kryeministrit Rama me avion privat pas publikimit të të dhënave të sistemit TIMS nga “Home land Justice”.
“I ka lejuar vetes 137 udhëtime me avion taksi. Në 8 vite në mandatin e tij, presidenti amerikan Bush, ka udhëtuar me Air Force One, 74 herë, gjysmën e Edi Ramës, dhe ka vizituar 43 vende në 4 kontinente të botës. Shqiptarët nuk do ja falin kurrë këtë abuzim që shkon në 22 mln euro.”
Kreu i demokratëve ngriti dyshime se pas publikimit të fluturimeve të kryeministrit Rama me Charter mund të fshihet edhe kryebashkiaku Veliaj.
“Ia nxori Homeland, apo Erion Veliaj, ky është problem tjetër. Udhëtimet e Erion Veliajt në Iran gjatë kohës që kam qenë kryeministër, kanë qenë frekuente sipas agjencive partnere. Se cila është lidhja e tij me Teheranin, nuk kam arritur ta zbuloj.”
Garantoi se Partia Demokratike do t’i shkojë deri në fund kësaj afere përmes ngritjes së një Komisioni Hetimor, teksa tha se kur ishte kryeministër ai dhe ministrat e tij kanë udhëtuar me linja tregtare.
“Do ngrejmë Komision Hetimor për ofshorin Air Albania dhe fluturimet e Ismailit. Kishte një buxhet të caktuar në kohën time. Kryeministri udhëtonte vetëm me linjë tregtare. Ministrat udhëtonin vetëm me linjë tregtare, asnjë me klas të parë apo biznes-klas.”
Pas vendimit të ERE-s për vendosjen në muajin Nëntor të fashës 800 kWh një paralajmërim i bëri kryeministrit.
“Kjo rritje prek 60% të qytetarëve shqiptarë dhe tërë shtresën e mesme, Rama do përgjigjet për këtë vendim.”
Duke e cilësuar historike marrëveshjen e arritur pas 13 vitesh me aleatin e tij të vjetër Ilir Meta, kreu i demokratëve tha se përmes bashkëpunimit me Partinë e Lirisë do t’i jepet fund monizmit në vend.