Në podiumin e Parlamentit, opozita ka fajësuar qeverinë për largimin e shqiptarëve drejt vendeve të Bashkimit Europian. “Drejtori juaj i Portit të Vlorës është në kamp, në Gjermani. Është tjetër gjë të shkosh e të kërkosh punë, është tjetër të shkosh të kërkosh azil politik. Ky problem nuk zgjidhet me policë”, tha ish-kryeministri Sali Berisha.
“Fyerje për inteligjencën e shqiptarëve që t’u thuhet se ajo që po ndodh javët e fundit është e lidhur me ndonjë rënie të ekonomisë. Kemi të bëjmë me një moment kur ka një keqkuptim të madh, i krijuar në raport me një nevojë të shpallur të Gjermanisë për 45 mijë të huaj me profesione të caktuara dhe për arsye të caktuara të ekonomisë gjermane, në raport me nevojën dhe dëshirën e njerëzve për të shkuar në Gjermani e për të kërkuar atje një jetë më të mirë. Mbi këtë keqkuptim ka hyrë në veprim elementi kriminal. Në vendet fqinje kemi të njëjtën situatë”, u përgjigj kryeministri Rama.
“Kjo qeveri po bën çdo gjë, vetëm nuk po qeveris. Nëpër spitale nuk ka ilaçe dhe mjekë”, ishte replika e Berishës.
“Fakti që ka njerëz që e kanë jashtëzakonisht të vështirë të nxjerrin bukën e gojës, sigurisht që është i pamohueshëm. Nuk e ka mohuar askush, por ky fakt nuk lidhet me këtë qeveri. Të keni bindjen e plotë se Shqipëria po shkon në drejtimin e duhur dhe të keni bindjen e plotë se shqiptarët nuk janë dele që juve t’i bëni bariun”, deklaroi Rama.
Ashtu siç pritej, kandidati i së majtës për Tiranën, Erion Veliaj, u shigjetua nga opozita.
“Ku ka ndodhur dasmë me dy raune në kështjellë? Rroftë mamaja! E ka thënë vetë që dasmën ia bëri mamaja”, tha Berisha.
Përgjigja e Veliajt ishte kjo: “Më vjen mirë që “doktori” iku sepse nuk kisha ndërmend të merresha me familjen e tij apo me dasmat e tij. E di që i ka problem dasmat. Nuk e di si martohen ata, por ne të tjerët nuk martohemi me kushërinjtë. Kjo është një gjë e mirë”.