Berisha përkujton 2 Prillin ’91 në Shkodër

“Në 11 Maj, të rrëzojmë diktaturën e re”, u shpreh Berisha

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha nga ceremonia përkujtimore e 4 martirëve shkodranë që u vranë më 2 Prill të vitit 1991, në masakrën e fundit të Komunizmit në Shqipëri, ftoi shqiptarët që në 11 maj me votën e tyre të rrëzojnë diktaturën e bazuar në drogë e krim.

“11 Maji është dita që ndan histori dhe epoka, ndan diktaturën e bazuar në drogë, nga shteti i të drejtës, liritë dhe të drejtat e qytetarëve. Në 11 maj ne do të firmosim projektin e ëndrrës shqiptare, që ndëshkon me forcën e ligjit krimin, korrupsionin dhe mbron të drejtat e qytetarëve.”, u shpreh Berisha.

Sipas kryedemokratit, 4 martirët e vrarë 34 vite më pare, janë frymëzim për çdo shqiptar që të sakrifikojë lirinë dhe votën e lirë.

“Kjo bandë ka një kryebandit në krye, që quhet Edi Rama. Ndaj dhe sot për çdo shqiptar, të kthejmë 11 Majin në ditën e votës së lirë.”, u shpreh Berisha.

Kryebashkiakun Benet Beci, të cilin prej disa javësh e akuzon se në bashkëpunim me bandit, po tenton tjetërsimin e vullnetit të qytetarëve shkodranë në zgjedhje, e paralajmeroi për fundin që tha se po i përgatit kryetari i tij në Tiranë.

“Shpejt qytetarët e Shkodrës do marrin vesh se kush është ai që i qeveris aty, se çfarë përfaqëson bashkiaku i Dobraçit. E vërteta është që ka një dosje tmerrësisht të rëndë për Benet Becin, me të cilën e mban peng Edi Rama.”, tha kryedemokrati.

Çdo 2 prill, demokratët nderojnë 4 heronjtë Arben Broci, Bujar Bishanaku, Nazmi Kryeziu, Besnik Ceka, si dhe 87 qytetarë të Shkodrës që u plagosën në ngjarjen tragjike të vitit 1991.

Leave a Reply