“Mashtroi shqiptarët duke ngrirë pagat”
Në orët e fundit të fushatës elektorale, Sali Berisha doli nga selia blu me një thirrje drejtuar shqiptarëve, duke ftuar të rinjtë, gratë, burrat, fermerët, përfaqësuesit e biznesit dhe punonjësit e administratës që të marrin pjesë masivisht në zgjedhje për të votuar ndryshimin në 14 maj.
“Thirrja ime është të merrni pjesë në votime, mos dëgjoni njeriun që ka frikë dhe tmerr nga vota juaj. Vetë kjo thirrje duhet të zgjojë te ju përgjegjësinë e madhe që keni ndaj vetes, familjes dhe vendit dhe duhet ta ushtroni atë përgjegjësi me votën tuaj të lirë”.
Më pas udhëtoi drejt Kurbinit ku kërkoi votën e qytetarëve të dielën si ndëshkim për keqqeverisjen dhe korrupsionin e socialistëve në pushtet.
“Edi Rama me rritjen e çmimeve dhe ngrirjen e rrogave je treguar një drejtues i pamëshirë, dhe i pashpirtë. Nuk mundet kurrë në kushtet e tregut që një kryeministër të ngrijë rrogat. Po ngrive rrogat ti zvogëlon çdo vit, të ardhurat dhe ekonominë e asaj familje. Po ngrive pensionet ti detyron pensionistët të qajnë çdo muaj me lot mjerimi, pasi paratë e tyre nuk u dalin për shkak të çmimeve”.
Ndalesa e radhës e Berishës ishte Lezha ku sërish nuk i kurseu akuzat për kryeministrin Rama dhe kandidatët socialistë.
“Edi Rama që kalon nga sheshi në shesh me një fjalor të denjë vetëm për halabak e ka tmerruar qarku i Kurbinit, i Lezhës. Edi Rama sheh disfatën e tij të plotë në 14 maj dhe e ka të qartë se disfata në Lezhë është lajmëtarja e disfatës së tij në mbarë Shqipërinë”.
Berisha tha se zgjedhjet e 14 majit janë më të rëndësishmet për rivendosjen e pluralizimit që nga viti 92.