Raportet mes maxhorancës qeverisëse kanë qenë në qendër të fjalës së ish-kryeministrit, Sali Berisha. Ai ka deklaruar se koalicioni i PS-së me LSI-në është ndarë dhe mungon vetëm shpallja e kësaj ndarjeje.
Ish-kryeministri Berisha kërkoi ndërprerjen e seancës deri në garantimin e rikthimit të ministrave të LSI-së. Ai tha se dyshja Rama- Meta janë bërë si “çifti që ndahet por nuk e shpall”.
“Ju kërkoj të ndërprisni seancën dhe të garantoni rikthimin e ministrave të LSI në Parlament. E di si jeni bërë ju? Si puna e atij çiftit që ndahet dhe nuk e shpall. Dhe i thonë njëri-tjetrin nuk e shpallim për shkak të fëmijëve, ju nuk e shpallni për shkak të parave. Ku i keni? Kam konstatuar se ka një muaj rresht që ministrat… edhe sot dalja e Brahos, ishte në kuadrin e rukturës që ju keni. Mos ta bëjmë formal fare këtë”, tha Berisha.
Më herët Berisha ka denoncuar disa anomali, që sipas tij po vihet re në kompanitë që menaxhojnë burimet natyrore e jo vetëm.
“E vërteta është se punonjësit e uzinës së Ballshit kanë 5 muaj pa rroga e nuk sigurojnë dot kafshatën. Është një baloz i cili në një kohë rekord i ka shkaktuar Albpetrolit një dëm prej 100 e ca milionë”, ka thënë Berisha.
Më tej ai ka kujtuar sulmin me vezë ndaj kryeministrit, duke bërë komentet e tij. “Ngado që shkoni ju ndjekin vezët. Për të shpëtuar nga vezët iku njëri nga Kryeministria, ia mbathi. Por përgjigjen më të shkëlqyer ia dhanë studentët dje”, ka thënë Berisha, duke iu referuar protestës së studentëve kundër ligjit në arsimin e lartë.
Më tej ish-kryeministri ka kritikuar ashpër edhe masat që po aplikon qeveria ndaj biznesit.
“A keni parë ndonjë vend në botë ku vendosen këto masa ndaj biznesit, si ato që po vendos nipi i Spiro Kolekës? Shtet diktatorial do të bëni ju? A keni parë ndokund në botë një terror të tillë ndaj biznesit? Ky njeri po rrënon çdo ditë gjendjen shpirtërore e morale të këtij vendi”, ka thënë Berisha duke iu referuar kryeministrit Rama.