Berisha: Rezolutë pro PD-së, Internacionalja Demokrate e Qendrës kërkon qeveri teknike dhe zgjedhje të reja

Internacionalja Demokrate e Qendrës, pjesë e së cilës janë 108 parti politike është e para organizatë ndërkombëtare që mbështet qëndrimin e Partisë Demokratike për zgjedhjet e 11 majit duke miratuar një rezolutë ku përfshihen të gjitha shqetësimet e opozitës për këtë proces.

Kryetari i PD Sali Berisha doli para gazetarëve për të lexuar dokumentin e miratuar të premten, ku dënohet përdorimi i burimeve shtetërore në favor të PS, dënohet frikësimi i votuesve dhe kapja e shtetit.

“IDC-CDI u bën thirrje autoriteteve shqiptare që: Të krijojnë një qeveri teknike (kujdestare) për të mbikëqyrur reformat drejt BE-së dhe për të përgatitur zgjedhje të reja. I bën thirrje BE-së që të kushtëzojë përparimin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit me reforma konkrete zgjedhore dhe demokratike”, tha Berisha.

Berisha sqaroi edhe njëherë se PD do të mbështesë kandidatët e saj që kërkojnë hapjen e kutive.

“Aty ka pasur vetëm një keqkuptim nga ana e tyre. Ata nuk duhet të humbasin kohën, t’i paraqesin ato që kanë paraqitur në KAS, pranë përfaqësuesve tanë në KQZ, që përfaqësuesit tanë për qarqet që kanë marrë vendime për vlefshmëri apo pavlefshmëri, të procedojnë me shqetësimet e tyre”, tha kreu i PD-së.

Kryetari i PD Berisha mbështeti kërkesën e Gazment Bardhit drejtuar Presidentit të Republikës, ku pretendohet se këshilltari i Kryetarit të Shtetit, Ilir Rumsali, nuk mund të jetë anëtar i Komisionit të Ankesave.

“Dhe që këshilltarit të Presidentit të Republikës nuk i lejohet asnjë detyrë tjetër, kjo është e sanksionuar në ligj. Dhe që Presidenti e shkel me dy këmbë ligjin, në rast se mban këshilltarin që punon dhe në KAS, vetëkuptohet”, tha Berisha.

Të hënën kryetari i PD Sali Berisha do të shkojë në Bruksel për të marrë pjesë në Asamblenë Politike të Partisë Popullore Evropiane ku do të përpiqet të bindë partitë e djathta se procesi i 11 majit ishte i parregullt e nuk duhet të njihet nga komuniteti ndërkombëtar.

Leave a Reply