Berisha shmang raportin e DASH, kreu i PD: Mos u merrni me Ramën, të fokusohemi vetëm tek programi

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zgjodhi të anashkalojë raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit, ku përmendej në mënyrë specifike hetimi i SPAK-ut ndaj tij për korrupsion në rastin e privatizimit të ish-kompleksit sportiv Partizani.

Gjatë një konference me gazetarët, Berisha deklaroi se raporti thjesht reflektonte një fakt.

“Ai raport shprehte një fakt, ajo ka ndodhur, unë besoj se nuk gënjente. Të them se nuk gënjente, jo. Thoshte një fakt që ajo ka ndodhur dhe unë e kam denoncuar atë me qindra e mijëra herë. Kështu që nuk kishte gjë të re”, tha Berisha.

Kur nga zgjedhjet na ndajnë 47 ditë, Berisha sqaroi se në fokus të strategjisë elektorale të PD është programi, dhe opozita nuk do të merret me rivalin politik, Edi Rama dhe PS.

“Çdo kandidat, çdo aktivist i PD duhet nga mëngjesi deri në darkë, të merret me programin e PD, të merret me shpjegimin e këtij programi, me ofertën e tij, dhe në një përqindje minimale të merret me kundërshtarin. Sepse kundërshtari, imagjinoni ju, ka krijuar skenën e tij me zhapinj, hardhuca, zhaba, do të shtojë edhe gjarpërinjtë aty, minjtë. Pse me këto do të merremi ne. Jo”, shtoi ai.

Në këtë frymë, sot Berisha nuk foli as për kryeministrin Rama e as për kryebashkiakun e arrestuar, Erjon Veliaj, por vetëm për një prej shtyllave kryesore të programit.

“Kthehem më i inspiruar se kurrë në projektin tonë dhe konkretisht në shtyllën e tij të dytë, dhe themelore ‘Made in Albania’. Shtyllë e cila ka qëllime kryesore, prodhimin, prodhimin, prodhimin. Që do të thotë punësim, punësim, punësim për shqiptarët. Që do të thotë rritje rrogash, rritje rrogash, rritje rrogash për shqiptarët”, tha kryedemokrati.

Berisha dhe aleatët e tij kanë zbritur në fushën e betejës elektorale me sloganin “Shqipëria Madhështore” dhe një program për të ndryshuar të ardhmen e vendit.

Leave a Reply