Besa Kalaja për frymëzimin

JO GJITHÇKA PËRFUNDON NË LETËR

(Enkas për HEJZA-n)

Kam përshtypjen që të gjithë krijuesit janë të pashkëputur nga ngacmimi që e ndjejnë kudo që ata/ato vegjetojnë. Rrjedhë që nuk pushon derisa shpaloset jeta. Një re në qiell me formë të çrregullt deri në të çuditshme, një ndodhi e vogël që nuk bën bujë, por lë shenjë, një mundim i brendshëm i pashpjegueshëm, një tjetër edhe i shpjegueshëm, gjithçka që ngjallë diçka shndërrohet në frymëzim.
Në letërsi nuk ka projekte ku mendohet çfarë të bëhet. Përditë shkruhen copëza, luhet me fjalët, dalin fjali që jo në të gjitha rastet përmbledhin gjithë ndjesinë dhe jo gjithçka përfundon në letër pasi fjalët dinë të marrin jetën e tyre e të shpalosen përmes teje.
Letërsia nuk shtrihet në kohë, as në vende, nuk ka as emra, sepse ajo në fund përket aty prej ku buron, tek jeta.
Për të marrë formë, për t’u realizuar në një libër, do mundin dhe kohën e vetë. Por momenti, kur shpalosen fjalët, është gjithçka, është frymëmarrje e thellë.
Çka pason pas kësaj në shumë raste është zhgënjim, e në disa raste zhgënjimi është aq i madh sa pjesës së shkruar nuk ia hedh më sytë. Ama vazhdon të jetosh me ndjesinë që të kanë dhënë momentet e të shkruarit. Madje vazhdon të jetosh veç për ato momente, derisa pret për të të ndodhur. Përsëri.

Leave a Reply