Ekuipazhi i një ambulance ukrainase teksa transporton të Premten një ushtar të plagosur nga një spital fushor i vijës së frontit drejt një spitali të specializuar në qytetin Kramatorsk. Jo shumë larg nga qyteti i Bakhmut-it, për këtë ushtar nën batanije termike kujdesen dy mjekë.
Bakhmut-i është thuajse i rrethuar dhe trupat ukrainase po lënë pas fushë të djegur. Ukrainasit po shkatërrojnë urat duke e vështirësuar përparimin e mercenarëve Wagner. Bombardimet ruse janë të paepura në rrugët që të çojnë në perëndim nga Bakhmut-i, një përpjekje për të bllokuar kalimin e forcave ukrainase brenda dhe jashtë qytetit.
Ushtarët ukrainas po punojnë për të riparuar rrugët e dëmtuara dhe më shumë trupa po shkojnë drejt vijës së frontit, shenjë se Ukraina nuk është ende gati të heqë dorë nga qyteti. Në perëndim, ukrainasit po hapnin llogore të reja.
Kreu i mercenarëve Wagner, Jevgjeni Prigozhin, tha se qyteti është pothuajse i rrethuar me vetëm një rrugë ende të hapur për trupat e Ukrainës.
Fitorja në Bakhmut, do t’i japë Rusisë çmimin e parë të madh të ofensivës dimërore, një fitore që mund të vijë si ajo e Pirros, pasi numri i trupave ruse të humbura ruse është jashtëzakonisht i lartë.
Ata që luftuan për Bakhmutin i nderoi me medalje presidenti ukrainas VolodymyrZelenskiy, disa prej tyre po kurohen në spitalin ushtarak të Lviv-it.
“Të jem i sinqertë, kurrë nuk e kisha menduar se do të të takoja në rrethana të tilla,” i tha Zelenskiy-t një nga ushtarët e plagosur.
Ukraina ka urdhëruar disa banorë të largohen nga Kupiansku, pasi Rusia kërkon të rimarrë qytetin që la vitin e kaluar. Autoritetet rajonale të Kharkiv-it thanë se familjet me fëmijë dhe më të moshuarit duhet të largohen për shkak të bombardimeve “të vazhdueshme” nga forcat ruse.