BFI – ja do të reformohet kur do të dalë shteti nga aty

Intervistë e vardarnews.com me: Afrim Tahiri, drejtues i Lëvizjes Myslimane për Reforma në BFI të RMV-së

Z. Afrim, në përmbyllje të vitit, ju si Lëvizje Myslimane për Reforma në BFI të RMV, si do ta vlerësonit vitin që po e lëmë pas?

Si Lëvizje, do të thosha që kemi bërë punë mjaft të rëndësishme. Radhët tona po konsolidohen gjithnjë e më shumë. Kjo ngjeshje e radhëve me përkrahës të kauzës sonë, nuk bëhet për inat të askujt dhe as me joshje por, thjesht, me zbardhje të së vërtetës dhe me lakuriqësim të të gjitha atyre veprimeve që nuk i kanë fare hije, jo vetëm institucioneve por as një adoleshenti. Jam shumë i lumtur që, vetëdijësimi i popullatës sonë për sa i përket vlerësimit të punëve të keqpërdoruesve të BFI-së, është gjithnjë e në rritje dhe se Platforma jonë po hasë në përkrahje masovike. Dhe, mos kujtoni se tërë kjo punë ishte aq e lehtë! Ne, njëkohësisht jemi përballur edhe me pengesa institucionale për sa i përket prezantimit tonë, të Platformës sonë, të synimeve tona në mediat shtetërore e nacionale të vendit! Janë duke u derdhur para të majme e të padhimbshme nëpër mediat elektronike e nëpër portale vetëm e vetëm që të na bllokojnë dhe mos të dëgjohet fjala jonë! Natyrisht, i tmerron e vërteta jonë, i tmerron synimi ynë, ndaj dhe, mendojnë që duke i “blerë” mediat e vendit, do ta pengojnë fjalën tonë. Ka raste kur janë përpjekur edhe jashtë vendit të manipulojnë media, natyrisht, duke ju ofruar para të majme. Megjithatë, falë Zotit, e vërteta, fjala e hajrit, qëllimet e ndershme dhe progresive kurrë nuk mund të pengohen, sepse kanë bekimin e vetë Zotit.

Ju edhe më tej mendoni se duhet të veproni në fazën e sensibilizimit të opinionit deri në krijimin e masës kritike! Po veprimet e Lëvizjes?

Përmbytjet e sistemeve që vijnë me dhunë, me zhurmë, me rrënime e prapshtira, janë të destinuara të përfundojnë ashtu siç janë realizuar! Asnjë institucioni fetar, kurrë në jetë, nuk ia kisha dashur përmbytjen me zhurmë, apo siç i thonë “me revolucion”! Tashmë në Maqedoninë e Veriut edhe fëmijët në djep mund të dinë se në BFI vidhen fitrat, vidhet zeqati, vidhen kurbanët, të gjithë e dinë se vidhet haxhi, se, ruana o Zot, vidhet ndihma humanitare! Të gjithë e dinë se tashmë kemi një oligark me nja 13 feudë, të cilat kanë arritur kënaqësinë e liderit të tyre, sepse ia kanë siguruar nga nja 10-15 përkrahës. Paramendoni, vet Sulejman Rexhepi e thotë se kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Sali Murat, e llogarit si myftiun e katërmbëdhjetë të BFI-së! Çfarë mesazhi po dërgohet përmes dekleratave të këtilla dhe përse nuk po i mjaftojnë aq sa e thotë Kushtetuta e BFI-së!? Pavaresisht të gjithave, jemi duke u angazhuar edhe në drejtim të sensibilizimit të faktorëve ndërkombëtar në vend me qëllim që të bëjnë trysni mbi të gjithë ata organizma të vendit që janë gjunjëzuar para oligarkut dhe feudëve të tij. Sa më shumë që të merren me të vërtetën tonë, sa më shumë që të merren me faktet dhe me argumentet tona, aq më ngushtë do ta kenë punën keqpërdoruesit dhe zhvatësit e BFI-së. Të bindurit e përgjithshëm se reformat janë shpëtimtari më i realtë i BFI-së është absolutisht çështje fetare! Idetë progresive, reformat për një organizim sa më profesional, sa më bashkëkohor, sa më shumë në harmoni me normat islame dhëntë Zoti që kurrë të mos shterren. Kjo është e vetmja metodë e pëlqyeshme dhe e hajrit për ndërrimin e strukturave të amortizuara, të shkalafitura e të ndryshkura me strukturë të re që garanton stabilitet e përparim.

Ju pohoni se paska organizma të vendit që “qenkan përkulur para oligarkut dhe feudëve të tyre”! Kurse ata të BFI-së thonë se shteti duhet t’i mbajë duart sa më larg BFI-së!

Shteti mund të largohet nga BFI-ja vetëm pasi të largohet Sulejman Rexhepi! Derisa ky person mbanë të uzurpuar BFI-në, aty brenda, këmbëkryq, do të jetë edhe institucionet gjegjëse të shtetit! Tashmë unë gjithkund po them se, institucionet e caktuara shtetërore po dirigjojnë me BFI-në përmes marionetës së tyre, Sulejman Rexhepin! Policia e shtetit kontrllon BFI-në, dirigjon me punët e saj, madje edhe punëson njerëz në BFI! Megjithatë, është e pamundur që ta mbrojnë kaq shumë nga e vërteta! Është e pamundur ta tolerojnë kaq shumë në kriminalizimin e BFI-së! Po futemi në vitin e pestë që kur në Prokurori janë një sërë padishë kundër Sulejman Rexhepit dhe, ndonëse na e kanë vërtetuar se të gjitha paditë janë të argumentuara dhe dokumentuara dhe se nga shërbimet e tyre po hulumohen edhe fakte të reja me qëllim të plotësimit të kësaj materie paditëse, deri më sot nuk ka nisur asnjë procedurë! Njëra që nisi dhe përfundoi për ibret! Përgjigje më skandaloze nuk është parë e dëgjuar në asnjë sistem të drejtësisë në botën demorkatike! Shpallet i pafajshëm sepse gjuhën e urrejtjes nuk ia paska drejtuar popullit maqedonas. Pra, sipas këtij vendimi, Sulejman Rexhepi mund të shajë e ofendojë kë të dojë, problemi është që vetëm mos të “fërkohet” me popullin maqedonas. Vendim më skandaloz dhe që kundërmon në korrupsion, si ky, kurrë nuk ka pasur!  

Çështja mund të vjetërohet!

Po, çështjet tona frenohen për shkak të korrupcionit! Çështjet e tjera, po ashtu, fitohen me korrupcion! Nuk ka bashkësi fetare në botë që shpenzon kaq shumë nëpër gjykata e prokurori sa shpenzon Bashkësia Fetare Islame e uzurpuar nga Sulejman Rexhepi! Krijohet përshtypja se disa mekanizma shtetërore sikur kanë gjetë “madenin” e tyre në BFI!

Ju po akuzoni mekanizma të shtetit mbase për faktin se kohë më parë u shprehën në dëm të një krahu të “Lëvizjes…”

Jo, Lëvizja jonë është një organizëm i plotë dhe nuk ka probleme me “krahë”, siç thoni ju. Secili mbanë përgjegjësi për veprimet e veta. Ne nuk merremi me truqet subversive të Sulejman Rexhepit! Në Lëvizjen tonë aderojnë qindra e mijëra myslimanë që i presin ato reforma të domosdoshme që o t’ia kthejnë peshën, autoritetin, dinjitetin dhe identitetin vetë BFI-së. Se kush do të jetë reis e kush myfti, këtë e vendosin vetëm organet e BFI-së, respektivisht trupat zgjedhor të çdo xhamie, të çdo xhemati, të çdo myftinie.

Sukseset e Lëvizjes për Reforma në BFI të RMV-së?

Ju thashë qysh në fillim të kësaj bisede! Veprimtaria e jonë si Lëvizje është në fazën e sensibilizimit sa më të thellë të opinionit të gjërë jo vetëm me Platformë dhe synimet tona por edhe me veprimet e gjëra të përditshme të strukturave aktuale! Me ndriçimin e të vërtetës sonë dhe me zbardhjen e gënjeshtrave të përditshme të tyre! Gjatë këtij viti që po e lëmë pas, kemi realizuar qindra kontakte, sidomos me faktorët ndërkombëtarë, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, gjithkund kemi prezantuar Platformën tonë, gjithkund kemi hasur në përkrahje dhe në përshëndetje të aktivitetit tonë. Kemi ngjeshur radhët tona me intelektualë, me njerëz të lapsit e të dijes, kemi prezantuar në mesin e qindra xhemateve tona, sidomos në pjesën e dytë të vitit kur Sulejman Rexhepi me truqe naive deshti ta komprementojë Lëvizjen për Reforma në BFI të RMV-së. Kemi kontakte dhe bashkëpunim me qindra teologë të vendit, me struktura të myftinive e të institucioneve fetaro-arsimor! Ne, deri te realizimi i Platformës sonë, kemi përzgjedhur këtë rrugë si të vetme. Jashtë kësaj rruge dhe jashtë këtij synimi dështimet janë më se të sigurta, ashtu siç po dështojnë në çdo hap strukturat feudë që po i bëjnë temena uzurpatorit të BFI-së.      

Leave a Reply