Joe Biden, ka thënë se Netanyahu, nuk është duke bërë mjaftueshëm për ta siguruar një marrëveshje për lirimin e pengjeve që po mbahen në Rripin e Gazës nga Hamasi.
Biden theksoi gjithashtu se SHBA-ja është afër ta paraqesë një propozim përfundimtar para negociatorëve që po punojnë për arritjen e një marrëveshje për pengjet dhe për armëpushim në Gazë.
Bideni i bëri këto komente për gazetarë në Shtëpinë e Bardhë, një ditë pasi forcat izraelite i tërhoqën trupat e gjashtë pengjeve të vrarë në një tunel në Gazë.
Vrasja e këtyre pengjeve nxiti kritika ndaj strategjisë së administratës së Bedenit për armëpushim në Gazë, si dhe rriti trysninë ndaj Netanyahut nga izraelitët për kthimin e pengjeve të mbetura në Gazë.
Kritikat e Bidenit për Netanyahun vijnë në një kohë kur ai dhe Kamala Harris, e cila do të garojë në vend të tij në zgjedhjet e nëntor, përballen me thirrje të vazhdueshme për veprime vendimtare për t’i dhënë fund luftës gati 11-mujore në Gazë.
Qytetarët izraelitë dolën në rrugë të hënën për ditën e dytë radhazi, dhe sindikata më e madhe e punëtorëve nisi një grevë të përgjithshme, për t’i bërë trysni Qeverisë ta arrijë një marrëveshje për kthimin e pengjeve.