Biden paralajmëron Putin që mos ta pushtojë Ukrainën


Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden të premten u betua se do ta bëjë “shumë, shumë të vështirë” për presidentin rus, Vladimir Putin që të ndërmarrë aksion ushtarak në Ukrainë.

Biden ka thënë se administrata e tij është duke i ndërmarrë një varg iniciativash gjithëpërfshirëse për të ndaluar agresionin rus.

Presidenti i ofroi një paralajmërim të matur Putinit mes shqetësimit në rritje për një grumbullim trupash ruse në kufirin ukrainas dhe retorikës gjithnjë e më luftarake nga Kremlini.

“Unë po i bëj bashkë atë që besoj se do të jenë një set i masave gjithëpërfshirëse dhe me kuptim për ta bërë shumë, shumë të vështirë për z.Putin që të vazhdojë dhe të bëjë atë që njerëzit po frikësohen se do ta bëjë”, i tha Biden gazetarëve.

Ka shenja se Shtëpia e Bardhë dhe Kremlini janë duke aranzhuar një takim javën e ardhshme në mes të Biden dhe Putin.

Këshilltari për Punë të Jashtme i Putinit, Yuri Ushakov i tha gazetarëve të premten se aranzhimet janë bërë që Putin dhe Biden të kenë një thirrje telefonike në ditët në vazhdim. Rusët kanë thënë se një datë është caktuar por nuk kanë pranuar ta zbulojnë këtë datë.

Biden nuk ka dhënë detaje se çfarë veprimesh është duke menduar të ndërmarrë. Por, Ministri i Punëve të Jashtme i Rusisë, Sergey Lavrov, që u takua të mërkurën (1 dhjetor) me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken, tha se SHBA ka kërcënuar me sanksione të reja.

Ai nuk ka zbuluar sanksionet potenciale por tha se tentimet e SHBA-së nuk do të jenë efektive.

“Nëse sanksionet e reja nga “ferri” do të vijnë, ne do të përgjigjemi”, tha Lavrov.

Dallime të thella u shpërfaqën në takimin Blinken-Lavror, ku zyrtari rus tha se Perëndimi “po luan me zjarr” kur po i mohon Rusisë të drejtë vendimi në zgjerim të mëtutjeshëm të NATO-s për shtetet e tjera të ish-Bashkimit Sovjetik.

Presidenti ukrainas, Volodymyr ka kërkuar që Ukraina t’i bashkohet NATO-s, pasi kjo aleancë ka bërë këtë premtim por ende nuk nuk ka vendosur një afat.

Leave a Reply