Mbrëmjen e së hënës, presidenti amerikan bëri disa telefonata me aleatët evropianë e u konsultua edhe me vendet e Quintit ku bëjnë pjesë dhe Britania, Franca, Gjermania e Italia, një organizëm i cili deri më tani nuk ishte marrë drejtpërdrejtë me situatën e rënduar të Kievit.
Shefi i Shtëpisë ka preferuar të diskutojë një herë me Emmanuel Macron, Angela Merkel, Boris Johnson e Mario Draghi përpara takimit me Putin, në të cilin, siç sqaroi zëdhënësja e tij Jen Psaki, Shtetet e Bashkuara do të kenë mundësinë për të riafirmuar mbështetjen për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.
“Kjo është gjithashtu një mundësi për të diskutuar një sërë temash në marrëdhëniet SHBA-Rusi, duke përfshirë stabilitetin strategjik, çështjet kibernetike dhe rajonale, por sigurisht që mund të prisni që shqetësimet tona për aktivitetet ushtarake në kufi do të jenë një pjesë e rëndësishme e diskutimit”, theksoi Psaki.
Lidhja videofonike e planifikuar mes Presidentit rus Vladimir Putin dhe Presidentit të Shteteve të Bashkuara Joe Biden pritet të jetë “e detajuar dhe e gjatë”, tha me herët zëdhënësi i Kremlinit.
Peskov përsëriti se Presidenti rus Putin do të kërkojë garanci se NATO nuk do të zgjerohet deri në Ukrainë.