“Lightspeed”, shpejtësia e dritës, kështu u quajt projekti i kompanisë gjermane Biontech, që nisi në fillim të janarit. Synimi i tij ishte zhvillimi në kohë rekord i vaksinës kundër koronavirusit. Dhe që atëherë projekti përparoi me shpejtësinë e dritës. Nëqoftëse në kohë normale për zhvillimin e një vaksine duhen tetë deri dhjetë vjet, shkencëtarët nga qyteti i Mainz-it do të mund të jenë në gjendje të marrin aprovimin e vaksinës në SHBA për më pak se brenda një viti
Kjo mund të ndodhë në mes të nëntorit. Atëherë Biontech dhe partneri i tyre Pfizer do të aplikojnë për licencimin emergjent në SHBA. Të dhënat paraprake flasin për 90 për qind mbrojtje ndaj COVID-19, njoftuan Biontech dhe Pfizer të hënën. Kështu ata bëhen të parët në garën për vaksinën në botën perëndimore.
Edhe rregullatori evropian farmaceutik, EMA e paralajmëroi në fillim të tetorit procesin e licencimit të vaksinës së koronës nga Biontech dhe Pfizer. Momentalisht vaksina është duke u testuar në një studim, që përfshin dhjetëra mijëra pjesëmarrës. Për të përshpejtuar procesin e aprovimit, kontrollohen vazhdimisht rezultatet e ndërmjetme, derisa të arrihen informacione të mjaftueshme për marrjen e vendimit për licencimin, njofton EMA.
Terapia kundër kancerit me ndihmën e sistemit imunitar
Dy personat kryesorë, që qëndrojnë prapa koncernit bioteknologjik Biontech janë Ugur Sahin dhe Özlem Türeci. Që në janar të këtij viti, kur virusi korona bënte kërdinë në Kinë, dhe në Gjermani dhe gati askush nuk shqetësohej seriozisht për pandeminë, dy mjekët Sahin dhe Türeci reaguan dhe i përqendruan kërkimet e tyre te vaksina kundër virusit korona. Tre muaj më vonë ata ishin kandidatët e parë për vaksinën në zhvillimin klinik.
Deri në atë moment të dy ishin të përqendruar te lufta kundër kancerit. Qasja e tyre ndryshon qartë nga trajtimi konvencional i kancerit. Meqenëse nuk ka dy pacientë me kancer, tek të cilët mutacioni gjenetik i qelizave kancerogjene të jetë saktësisht i njëjtë, pacientët me kancer nuk duhet të trajtohen njëlloj, me operacione, kimioterapi, apo rrezatim, mendojnë të dy mjekët. Çdo pacienti i nevojitet një trajtim i përshtatshëm posaçërisht për të.
Sahin dhe Türeci shfrytëzojnë këtu faktin, se trupi i njeriut, kur sulmohet nga bakteret ose viruset, mund ta ndihmojë shpesh vetveten. Qëllimi i tyre është të zhvillojnë një imunoterapi, e cila stimulon mekanizmat vetëshërues dhe dërgon forcat policore të trupit, për të neutralizuar e bërë të padëmshme tumoret malinje.
Kërkimi shkencor në qendër të jetës
„E kam kuptuar shumë herët se më intereson shkenca”, tha Sahin me rastin e marrjes së çmimit Mustafa 2019. Ai u lind në Turqi. Në moshën katërvjeçare erdhi me nënën e tij në Köln, ku i ati punonte në fabrikën Ford. Pasi kreu maturën, studioi në universitetin e Këlnit mjekësi. “Më ka interesuar imunoterapia”, thotë 54 vjeçari. Dhe mënyra se si funksionon sistemi imunitar dhe si mund të drejtohet ai për të identifikuar dhe sulmuar qelizat kancerogjene.
Shahin tregon se ka nisur të punojë në laborator që kur ishte 20 vjeç. “Leksionet i kishim paradite, ato zgjasnin deri në orën 16:00. Pastaj, kur shokët e mi shkonin në shtëpi, unë ngjisja shkallët dhe punoja në laborator. Shumicën e rasteve deri në orën 21:00, 22:00, ndonjëherë deri në mëngjes në orën 04:00”, kujton Sahin. Pastaj shkoja me biçikletë në shtëpi.
Sahin thotë për veten e tij: “Nuk mund të them se kisha vështirësi me punën kërkimore-shkencore.” Në vitin 1992 ai përfundoi doktoraturën me “Summa cum laude”, pastaj punoi si mjek për mjekësi të përgjithshme dhe hematologji/onkologji në Universitetin e Këlnit, ku edhe dha mësim prej vitit 1999. Më pas ai u transferua në klinikën universitare në landin gjerman të Saar-ës, ku u njoh me bashkëshorten e tij, Özlem Türeci.
Özlem Türeci: Në qendër të vemendjes kujdesi për pacientët
Özlem Türeci është e bija e një mjeku turk, i cili kishte ardhur në Gjermani nga Stambolli. Kur Sahin erdhi në landin e Saar-ës, Türeci studionte atje mjekësi. Sot pedagogia e universitetit të Mainz-it konsiderohet si pioniere në imunoterapinë e kancerit. “E ndikuar nga babai, që ishte mjek, unë nuk e imagjinoja dot që të merrja një profesion tjetër”, tha Özlem Türeci për faqen online wissenschaftsjahr.de. “Ordinanca e babait ishte në shtëpinë tonë dhe ne si fëmijë luanim midis pacientëve. Që atëherë në shtëpinë e prindërve nuk kishte një ndarje strikte ndërmjet work dhe life”, thotë Türeci.
Jam formuar në radhë të parë nga familja, i tha Türeci innovationsland-deutschland.de, një portali të Ministrisë së Brendshme për arsimin dhe kërkimet shkencore. “Babai im ishte një mjek shumë i përkushtuar ndaj pacientëve. Kërkesat dhe qëndrimin tim sot ndaj profesionit i kam marrë prej tij që fëmijë. Që në qendër të jetë kujdesi për pacientin.” Ajo donte të ndihmonte, ashtu si i ati. Fillimisht si murgeshë, siç shpjegon ajo për Magazin Impulse. Por pastaj vendosi për mjekësinë.
Kur Türeci dhe Sahin u martuan në vitin 2002, Sahin punonte ndërkohë në klinikën universitare në Mainz. Edhe në ditën e martesës Sahin ishte në laborator, para ceremonisë në gjendjen civile dhe pas tij.
Krijimi i sipërmarrjeve: Themelimi i Biontech
Në vitin 2001 Sahin dhe Türeci themeluan kompaninë biofarmaceutike Ganymed Pharmaceuticals, që zhvillon barna imunoterapeutike kundër kancerit. Në vitin 2016 ajo u shit për të paktën 422 milionë euro. Në vitin 2008 Sahin, Türeci, dhe të tjerë themeluan Biontech. Këtu zhvillohen kryesisht teknologji dhe ilaçe për imunoterapinë individuale kundër kancerit. Sidoqoftë, asnjëra nuk arriti të marrë licencë.
Sahin udhëton akoma me biçikletë si shef i kryesisë së Biontech. Përveç kësaj ai jep mësim në universitetin e Mainz-it. Gruaja e tij Türeci është përgjegjëse për punën e zhvillimit klinik dhe punon si pedagoge në universitetin e Mainz-it.
Një nga kolegët e tij, Andreas Kuhn, tha me rastin e dorëzimit të çmimit Mustafa për Sahinin: “Unë rrallë kam takuar dikë, që është aq i zgjuar sa zoti Sahin. Ai është gjithmonë një hap përpara njerëzve të tjerë. Kur dikush sjell një ide të re, ai është brenda dhe e ka parashikuar.” Kuhn punon prej 13 vitesh te Biontech dhe është ndërkohë senior zëvendëspresident RNA Biochemistry & Manufacturing.
“Zoti Sahin ka mundur të më entuziazmojë që në fillim dhe mendoj se kjo është një nga pikat e tij të forta, që të inspirojë njerëzit për punën”, thotë Kuhn. Ai jo vetëm që të bind me argumenta shkencorë, por entuziazmi i tij është ngjitës.”
Më shumë se 1300 punonjës nga 60 vende punojnë aktualisht në Biontech, më shumë se gjysma e tyre janë gra dhe shumë të kualifikuara – rreth një e katërta kanë një doktoraturë ose PhD (doctor of Philosophy). Në tetor kompania bëri hapin e parë në parketin ndërkombëtar me ofertën fillestare publike në bursën e teknologjisë amerikane Nasdaq. Kompania është rritur vazhdimisht përmes blerjeve.
Shpresa tek BNT162b2
Sahin dhe Türeci tregojnë guxim edhe në këtë krizë. “Në mënyrë që të kemi gati menjëherë dozat e vaksinës për shpërndarjen në treg, në rast të miratimit të kandidatutës së vaksinës sonë BNT162, po investojmë shumë në zgjerimin e kapacitetit të prodhimit. Në dy qendrat tona në Idar-Oberstein dhe Mainz disa nga linjat e prodhimit funksionojnë pa ndërprerje”, thuhet në raportin aktual të kompanisë. “Qëllimi ynë që nga fillimi ka qenë që të ndërmarrim hapa të rëndësishëm paralelisht, në mënyrë që të qëndrojmë brenda afatit kohor”, tha Sahin në një intervistë për ZDF.
Puna shumëvjeçare kërkimore e çiftit të mjekëve, Ugur Sahin dhe Özlem Türeci, ka dhënë frytet e saj. Ugur Sahin mban 18 përqind të aksioneve të Biontech dhe, si pasojë e suksesit të kompanisë, është ngjitur papritmas në rangun e 100 gjermanëve më të pasur, të paktën në letër./DW