Një gjykatë bjelloruse urdhëroi të martën burgosjen për 10 ditë të dy udhëheqësve të opozitës, ndërkohë që qeveria vazhdon masat kundër disa figurave opozitare që ende nuk janë ndaluar.
Vendimi i gjykatës vjen kur në vend janë planifikuar demonstrime të tjera të mëdha kundër Presidentit Aleksandër Lukashenko.
Pavarësisht se shumica e figurave kryesore të opozitës janë në burg ose në mërgim, Presidenti Lukashenko deri tani nuk ka arritur t’i ndalë protestat kundër sundimit të tij 26-vjeçar, më shumë se dy javë pas zgjedhjeve për të cilat kundërshtarët thonë se ishin të manipuluara.
Dhjetëra mijëra njerëz dolën në rrugë gjatë fundjavës dhe u shpërndanë paqësisht.
Lukashenko mohon se zgjedhjet u manipuluan. Ai i ka quajtur protestuesit “spiunë” dhe thotë se ata janë të financuar nga jashtë.
Siarhei Dyleuski, i cili ka drejtuar grevat në Uzinë e Traktorëve të Minskut, një nga uzinat kryesore industriale të vendit, u nxor para gjykatës në një kafaz çeliku të martën, një ditë pas arrestimit. Gjykata urdhëroi ndalimin e tij për 10 ditë ndërsa prokurorët po ndjekin një çështje penale kundër Këshillit Koordinues të opozitës, me akuzën se është përpjekur të marrë pushtetin.
Një tjetër anëtare e këshillit, Olga Kovalkova, u dënua gjithashtu me 10 ditë burgim. Ajo shfaq në një gjykatë tjetër, pasi kishte kaluar një natë në arrest. Kovalkova është përfaqësuesja kryesore e kandidates së opozitës Sviatlana Tsikhanouskaya, që ndodhet jashtë vendit.
Këshilli Koordinues i opozitës u ngrit javën e kaluar me qëllimin e deklaruar për të hapur negociatat me qeverinë.
Një tjetër anëtar i këshillit, Pavel Latushko, ish-drejtor i teatrit shtetëror, u mor në pyetje nga hetuesit të martën por nuk është arrestuar. Ai doli duke thënë se do të kthehej përsëri në punë dhe se aktivitetet e këshillit nuk ishin të paligjshme.
Këshilli përfshin dhjetëra figura që përfaqësojnë shtresa të gjera të shoqërisë, midis tyre autorja Svetlana Alexievich, fituese e çmimit Nobel të Letërsisë, e cila është thirrur për t’u marrë në pyetje të mërkurën./VOA/