E kishte blerë “Rolex”-in më 1974, për 345.97 dollarë dhe mendonte se tashmë, është një orë e vjetër.
Por kur e nxori në një ankand sendesh të përdorura, burrit gati i ra të fikët në momentin që mësoi sesa vlente: plot 400 mijë dollarë. Dhe nuk mbaroi këtu, sepse pas verifikimeve u pa se ora ishte në gjendje mjaft të mirë, dhe kjo bëri që vlera e saj të rritej nga 500 mijë deri në 700 mijë dollarë.
Burri, emri i të cilit nuk është bërë i ditur, u shfaq në show-n “Antiques Roadshow” me orën e tij thuajse të papërdorur, Rolex Oyster Cosmograph Reference No. 6263 me shpresën të mësonte nëse mund ta shiste tani dhe sa do të kushtonte ajo sot.
Ideja e programit të PBS është udhëtimi nëpër Amerikë, në kërkimin e atyre që cilësohen si “thesare të fshehura”. Episodi i Rolex-it, që tërhoqi vëmendjen e të gjithëve, u realizua në Fargo, të Dakotës së Veriut.
Burri, i cili është veteran i forcave ajrore amerikane, u shpreh se e kishte blerë Roleksin katër dekada e gjysmë më parë sepse kishte dëgjuar që ishte firmë e mirë dhe duronte zhytjen në ujë.