Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken falenderoi të mërkurën Kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel për “udhëheqjen e jashtëzakonshme” duke thënë se “SHBA nuk kanë një partner më të mirë, një mik më të mirë sesa Gjermaninë“.
Duke theksuar nevojën për bashkëpunim dhe partneritet shumëpalësh në balladaqimin me sfidat globale, që nga pandemia, tek ndryshimet klimatike e deri tek teknologjitë e reja, Sekretari Blinken vlerësoi rolin e Gjermanisë si shembull në disa fronte.
“Mendoj se ne jemi të një bindjeje se kemi përgjegjësi, sidomos në këtë moment, për të demonstruar se demokracia është sistemi që funksionon për të përmirësuar jetë njerëzish në mbarë botën,” theksoi zoti Blinken.
Ai u ndal tek puna që ka bërë Gjermania lidhur me krizën në Libi, si bashkorganizatore e konferencës shumëpalëshe të së mërkurës përkrah OKB-së, për të arritur përparim drejt krijimit të kushteve përr zgedhje të sigurta dhe pastrimin e këtij vendi nga luftëtarët e huaj.
“Konferenca e sotma ishte një shembull shumë i mirë i punës që ka bërë Gjermania lidhur me Libinë dhe shpresojmë që nga ky moment të fillojmë të shohim një Libi në rrugën e sigurisë, lirisë dhe pavarësisë, të mbështetur nga komuniteti ndërkombëtar.
Sekretari amerikan i shtetit vazhdoi më tej se kishte tema të tjera me interes të përbashkët si Kina dhe Rusia, por shtoi se “për sot, zonja Kancelare, më lejoni të them Faleminderit! Po ashtu dua t’ju them se Presidenti Biden mirëpret takimin me ju në Uashington muajin e ardhshëm”.
Takimi me Kancelaren Merkel pasoi bisedimet mes zotit Blinken dhe homologut gjerman Heiko Maas.
Vizita e zotit Blinken në Gjermani nxori në pah përmasat dhe forcën e marrëdhënieve SHBA-Gjermani, por nuk duket se ka shenja përparimi në temën e gazjellësit rus Nord Stream 2. As zoti Blinken, as ministri i Jashtëm Mass nuk ofruan hollësi mbi afate kohore për një zgjidhje të mundshme.
Zoti Blinken ndodhet në Gjermani në vizitën e tij të dytë në Evropë brenda shtatë ditësh, pasi shoqëroi Presidentin Biden në takimin e tij me aleatët evropianë në Britani dhe Belgjikë.
Pas Gjermanisë, zoti Blinken do të vizitojë Francën dhe Italinë në kuadër të turneut të tij të parë në këto tre vende në rolin e kryediplomatit amerikan./VOA