Deputetja e opozitës, Rudina Hajdari tha se sjellja e saj këtë të hënë në Parlament ishte ashtu siç do të donin të silleshin qytetarët. Ajo deklaroi në rrjetet sociale se bllokoi foltoren dhe tha të vërtetat, njësoj siç do të bënte çdo shqiptar. Hajdari shtoi se për këto veprime u frymëzua nga takimet e shumta me qytetarët, duke qenë se po krijon një parti të re.
“Thashë e bëra sot në Parlament atë që do donte të thoshte e bënte shumica e shqiptarëve. Bllokova foltoren, ua plasa në sy mashtrimin dhe e bojkotova votimin, sic do donin ti bojkotonin këta fytyra që qesëndisin një popull për 30 vite, shumica e shqiptarëve. Më buroi nga zemra sepse nga takimet e shumta që po bëj kudo në Shqipëri shoh vetëm varfëri dhe dëshirë për emigrim. Sigurisht që me një votë në Parlament kaq mund të bëhet, por jam shpresëplotë se nesër do jemi më shumë. Sepse përditë po rritemi! Kurajo dhe forca Shqipëri! Koha e këtyre ka mbaruar!”
Gjatë fjalës që mbajti në foltoren e Kuvendit, Rudina Hajdari akuzoi se për votimin e Kodit të ri Zgjedhor u bënë pazare.