Deputeti socialist, Ben Blushi shpërtheu në akuza të ashpra ndaj gjithë klasës politike në vend, sidomos me të zgjedhurit në sallën e Kuvendit.
“Ky parlament nuk i ngjan një parlamenti europian sot. Ka aq shumë kriminelë këtu, sa mua më duket sikur jemi në një qendër burgimi. Ky do të mbahet mend si parlamenti më qesharak”, ka vijuar Blushi.
Blushi ka deklaruar se vetëm një drejtësi e pavarur mund ta pastrojë politikën dhe e ka cilësuar një truk kushtin e dekriminalizimit të vendosur nga opozita për reformën në drejtësi.
“Integrimi i shqiptarëve në Europë është shtyrë, shtyrë dhe vetëm është shtyrë. Debati që kishim në Bruksel ishte dekriminalizimi. Europarlamentarët kur na dëgjojnë pyesin veten: a duan ata të integrohen? Ne duam, por çështja është tek disa kushte. Kolegët e opozitës atje e kushtëzuan reformën në drejtësi me dekriminalizimin. Ata thonë se duhet të kalojë ky ligj, sepse ky Parlament nuk ka të drejtë të miratojë reformën pa larguar deputetët kriminelë”, ka thënë Blushi.
Dhe kjo sipas tij është një qasje që as ai vetë nuk e hedh dotë poshtë. “Edhe unë mendoj se kriminelët nuk kanë të drejtë të zgjedhin gjykatësit. Ne bëjmë ligje që të kapin të tjerët, por jo ne”, ka thënë Blushi, i cili ka përdorur tone të ashpra ndaj këtij institucioni.
Ai është shprehur se, populli shqiptar i ka votuar këta njerëz sepse nuk ka pasur oferta më të mira dhe ka votuar partitë sepse s’kishte emra.
“A do të ishte ky parlament që është sot po të kishim një drejtësi e pavarur? Kjo drejtësi është e vetmja për të pastruar parlamentin. Unë nuk besoj se dy palët në parlament kanë vullnet për ta pastruar këtë parlament”, ka thënë më tej deputeti i PS.
Sipas tij, zgjidhjet janë vetëm dy. “E para është populli shqiptar, që nëse merr vendime të na nxjerrë jashtë ne s’e ndalojmë dot; e dyta është drejtësia që mund të na pengojë”, ka vijuar Blushi.
“Reforma në drejtësi është një shpagimi ynë. Argumenti i dekriminalizimit para reformës në drejtësi është një truk. T’i japim një përgjigje serioze cështjes së pandëshkueshmërisë së politikanëve”, ka shtuar deputeti socialist.