Kryeministri britanik Boris Johnson ka lënë spitalin, pasi ka kaluar një javë aty dhe do të shkojë në Checkers, për të vazhduar shërimin e tij.
Kreu i qeverisë britanike ishte duke u trajtuar në spitalin St Thomas ‘në jug të Londrës dhe kishte kaluar kohë në njësinë e kujdesit intensiv të spitalit pasi gjendja e tij u përkeqësua.
Një zëdhënës i qeverisë deklaroi: “Kryeministri ka lënë spitalin, por ndëkrohë do të vazhdojë shërimin e tij. Me këshillën që ka marrë nga këshilltarët e tij mjekësorë, Johnson nuk do të kthehet menjëherë në punë. Ai dëshiron të falënderojë të gjithë për kujdesin që kanë treguar gjatë kohës që ishte shtruar në spital”, tha zëdhënësi.
Më tej, zëdhënësi tha se të gjitha mendimet e Johnson janë me ata që janë të infektuar me koronavirus. Boris Johnson u paraqit në spital të dielën e kaluar, pasi ai shfaqi shenja të qarta të Covid-19. Ai kishte kollë të thatë dhe temperaturë të lartë, ndër të tjera.